Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po zhvillon mesditën e sotme disa takime me përfaqësues të rëndësishëm diplomatikë në vendin tonë.
Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler ka mbërritur në selinë blu, pas përfundimit të takimit të kryedemokratit me Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU/CSU për Europën.
Temat kryesore të tryezës së bisedimeve mes ketyre zyrtarëve nuk janë bërë ende të ditura, ndërkohë që pas përfundimit të takimit pritet që lideri i opozitësë së bashkuar joparlamentare të mbajë një deklaratë për mediat.
Në kontekstin e krizës së thellë politike në Shqipëri, përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së, të vendeve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, si edhe të vetë Delegacionit të Unionit në Tiranë, kanë zhvilluar takime të herëpashershme me krerët e forcave politike kryesore.
Ndërkohë, vjeshta pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme për Shqipërinë, për shkak se parashikohet të ngrihen institucionet e reja të drejtësisë (SPAK,BKH) dhe të rikthehen në funksion Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Po ashtu, në muajin tetor do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave të anëtarisimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.