Ashtu sikurse u paralajmërua pak orë më parë, Partia Demokratike publikoi “dokumentin autentik” të Gjykatës së Janinës, sipas të cilit kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është arrestuar në territorin grek në vitin 2003 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsfikuara”.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, gjithashtu solli në vëmendje përmes materialeve filmike, përkrahjen dhe promovimin e kandidaturës së Kajmakut për njësinë vendore të Vorës, nga kryeminstri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Gimi nuk është doktor shkencash, Gimi është si puna ime. Gimi është kokëfortë, e për kokëfortë jemi një grup i mirë këtu ne”, - shprehej Rama në nnjë takim në Vorë, në kuadër të turit elektoral për zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit.
“Agim Kajmaku është njëri prej jush dhe ju e njihni mirë. Agim Kajmaku është personi i duhur që duhet votuar”,- i sugjeronte Balluku elektoratit të Vorës.
Në deklaratën e sotme, Bardhi ka theksuar se për akuzën e lartpërmendur, Prokuroria greke kishte kërkuar si pretencë dënimin me 10 vjet burgim të Kajmakut.
“Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.
Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipër. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të fallsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës.
Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda.”- tha ndër të tjera Bardhi.
Referuar dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke, rezulton sipas PD-së se Kajmaku është praktikisht edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.
Në këto kushte, PD përsërit se Kajmaku duke qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, nuk mund të ushtrojë funksione publike.