Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ka reaguar mbi pasaktësitë e evidentuara në të dhënat e publikuara për numrin e zgjedhësve, që nuk përkojnë me treguesit për votat e grumbulluara nga kandidatët fituesit.
Në një deklaratë për shtyp, Zguri u shpreh se të dhënat e ditës së dielë të publikuara nga organi zgjedhor për pjesëmarrjen në votimet e djeshme, kanë qenë jozyrtare dhe të marra përmes komunikimit telefonik me komisionerët e Qendrave të Votimit dhe të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. “Të dhënat zyrtare janë në tabelat përmbledhëse. Në rast se tabelat janë kontradiktore janë 2 tregues , ose paaftësie ose parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në këtë proces do të hetohet në vijim. Kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore që KQZ të vihet në lëvizje. Saktësia e shifrave është një çështje vendimtare për cilësinë e 30 qershorit, ndaj KQZ t’i trajtojë me prioritet dhe të hapë hetim administrativ”, tha Zguri.
Deri më tani, janë regjistruar mospërputhshmëri në 12 bashki të vendit, ku kandidatët socialistë kanë marrë qindra vota më shumë nga pjesëmamrrja numerike e votuesve e publikuar dje pasa mbylljes së procesit të votimit nga KQZ.