Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të nisë sot konsultimet me partitë politike për të caktuar një datë të re për zgjedhjet lokale. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se kreu i shtetit do të zhvillojë takimet e para në orën 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë.

Takimet e Metës do të nisin fill pas mbërritjes së tij në Tiranë, pas vizitës së parashikuar në mesditën e sotme në Prishtinë, me rastin e festimeve të 20-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Në Prishtinë do të jetë gjithashtu i pranishëm edhe kryeminsitri Edi Rama.
Në konferencën e djeshme, Meta u bëri thirrje palëve politike që të gjejnë gjuhën e dialogut me qëllim zgjidhjen e krizës polike të vendit. Presidenti theksoi në formën e një garancie për qytetarët se zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme dhe brenda një afati në respektim të plotë të Kushtetutës dhe shpjegoi se në marrjen e vendimit për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, u bazua në disa informacione për një konflikt të mundshëm civil gjatë protestës së tetë kombëtare të opozitës.