Kryeministri Edi Rama së bashkë me një delegacion shoqërues, ndodhet në një vizitë zyrtare në Bruksel, të ndërmarrë në kuadër të komunikimeve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rama pritet të zhvillojë mes të tjerash një takim në orën 19:00 me presidentin në ikje të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, për të mbajtur më pas një konferencë të përbashkët shtypi.
Ndërkaq, gjatë punimeve të një aktiviteti me temë: “Shqipëria dhe perspektiva e saj europiane”, raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, ka folur lidhur me aktualitetin politik në Shqipëri, duke bërë thirrje që kërkesat e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku përfshihet dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve lokale dhe apeli për vendosjen e dialogut mes palëve, të merren seriozisht. “Kam lexuar që Presidenti është i shqetësuar për situatën dhe se ajo mund të dalë jashtë kontrollit. Ne duhet ta marrim këtë seriozisht edhe pse ne nuk na takon që të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë.”- tha Fleckenstein.