Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka vendosur të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajron, si edhe drejtuesin e Gjykatës së Apelit Civil në Durrës, Fuat Vjerdhën. Pas verifikimeve të kryera në kriteret e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale, KPK-ja konstatoi se Hajro dhe Vjerdha rezultonin me probleme në procesin e vlerësimit.

Sipas një raporti që u paraqit gjatë vlerësimit të Vjerdhës, pas rihapjes së hetimeve për disa konstatime të reja dhe denoncime nga publiku, gjyqtari nuk kaloi “sitën” lidhur me aspektin profesional dhe kriterin e pasurisë.
Vendimi u mor nga treshja gjykuese e KPK-së, e përbërë nga kryesuesi Olsi Komici, relatori Lulzim Hamitaj dhe anëtarja Pamela Qirko, si edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Ferdinando Buatier.