Pas një takimi të zhvilluar në Presidencë me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka dhënë një tjetër mesazh lidhur me krizën politike të vendit. Në një postim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, Meta shkruan se në përgjigje të shqetësimit të shprehur nga studentët e Kolegjit Universitar “AAB” në Prishtinë për zhvillimet e fundit në Shqipëri, garanton se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund, me qetësi dhe shqiptari.
Ky mesazh vjen pak pasi Partia Socialiste nisi procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, fill pasi ky i fundit çdekretoi datën e zgjedhjeve vendore.
“Në këtë ditë të veçantë për kombin tonë, në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pata kënaqësinë e veçantë të zhvilloja një takim të ngrohtë e vëllazëror me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit Universitar AAB në Prishtinë.
I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë, për të ndërtuar të ardhmen në vendet tona.
Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari.”- shkruan Meta.
