53-vjeçarja Antoneta Hoxha është vrarë nga bashkëshorti i saj. Gjithçka ka ndodhur në prani të fëmijëve, në fshatin Vagalat të Memaliajt.
Bashkëshorti ka pranuar krimin në polici ku është marrë në pyetje pas ngjarjes së rëndë. “E vrava unë. Debatuam, nuk durova dhe e qëllova. Nuk doja të vdiste”, - mësohet të ketë thënë 63-vjeçari.
Gruaja u gjet pa jetë në banesën e saj dhe me shenja dhune në kokë dhe trup. Këto shenja ngjallën dhe dyshimet e policisë e cila ka marrë në pyetje bashkëshortin e saj dhe ka zbardhur ngjarjen.
“Pas njoftimit të marrë se shtetasja A.H., banuese në fshatin Vagalat, Bashkia Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë, me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor ku në bashkëpunim Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit S.H., 63 vjeç, i cili ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A.H., 53 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, deklaron zyrtarisht policia.
