Kuvendi po zhvillon sot interpelancën e kërkuar nga deputetët e “opozitës së re” lidhur me grabitjen e shumës së konsiderueshme prej 8 milionë eurosh në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë fjalës së tij ka pranuar se ngjarja e Rinasit është shumë e rëndë për arsye se përbën një episod të përsëritur, por ka mohuar se kemi të bëjmë me cënim të sigurisë kombëtare.
Sipas Lleshaj, debati është spostuar në planin politik dhe emocional, ndërsa ka shtuar se policia e shtetit është njoftuar me vonesë nga kontraktori që duhet të garantojë sigurinë brenda aeroportit të Rinasit.
“Diskutimi që ka shpërthyer si përherë ka tentuar të spostohet në plan politik e emocional duke iu larguar diskutimit racional duke tentuar drejt absurdit, ka pasur gatishmëri të madhe për të prodhuar skenarë apokaliptikë, se çfarë mund të kishte ndodhur, cila gjëmë do i kishte gjetur funksionarët e lartë të shtetit që përdorën aeroportin atë ditë, të tjerë edhe nëse çfarë do ndodhte nëse do ishte rrëmbyer avioni, etj, imagjinata mund t'i prodhojë dhe janë legjitime, por nuk na çojnë asgjëkundi”, tha ai.
Lleshaj shtoi më tej se: “Me ligj, miratuar para 15 vitesh, përgjegjësia i është transferuar kontraktorit privat, nuk do ta kisha votuar kurrë këtë vendim, por duhet ta dini se vendimi për këtë, është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar, toleruar, pëlqyer 15 vite me radhë dhe ju e dini fort mirë se kush ka qenë në karrige gjatë 15 viteve. U njoftua me vonesë policia e shtetit, pasi e kishte marrë në rrugë të treta njoftimin për ngjarjen dhe cënimin e sigurisë, në mënyrë zyrtare kompania njoftoi sallën e Rinasit 6 minuta e 30 sekonda më vonë nga nisja e ngjarjes. TIA njoftoi aviacionin civil shqiptar 30 minuta pasi ndodhi ngjarja. Policia ka tentuar të hyjë brenda, por porta nuk ishte hapur pasi e ka në komandë kompania e sigurisë së aeroportit”, tha Lleshaj.