Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (CAA) ka reaguar lidhur me vendimin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Holandës, ku mes 150 deputetëve të 9 partive politike (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD), 108 prej tyre votuan pro rikthimit të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në hapësirën “Schengen”. Në deklaratën e lëshuar për mediat, CAA-ja e konsideron propozimin e legjislativit holandez për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si një hap që dëmton qartësisht imazhin e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë në mbarë botën.
CAA-ja vë theksin tek mungesa e një reflektimi nga ana e strukturave përgjegjëse shqiptare, të cilat ende nuk kanë kryer një analizë të thelluar të votimit të Parlamentit holandez. “Një vendim i tillë, me pasoja të rënda për imazhin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duhet shoqëruar me një analizë serioze dhe me përgjegjësi të lartë institucionale, duke përcaktuar dhe masat konkrete për adresimin, frenimin dhe minimizimin e të gjithë problematikave që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.”- shkruhet në deklaratën e CAA-së.
Organi i përfaqësisë diplomatike shqiptare i drejton Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) thirrjen për të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm në marrëdhënie me Holandën dhe agjencitë e saj ligjzbatuese, me qëllim që propozimi për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë të mos shoqërohet nga një efekt “domino” në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian. “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se marrja e sinjalit pozitiv në muajin qershor për çeljen e negociatave të antarësimit në BE është dhe mbetet përparësia madhore, në interes të vendit dhe të vetë BE-së.”- përmbyllet reagimi i CAA-së.
Pezullimi i përkohshëm i lëvizjes së lirë, që e kthen Shqipërinë shumë hapa pas në procesin e integrimit evropian, është parë nga spektri i politikës holandeze si e vetmja zgjidhje parandaluese e fenomenit të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës të shqiptarëve në Holandë. Megjithatë, pavarësisht votimit të datës 16 prill të legjislativit holandez, kthimi i vizave mund të marrë karakter detyrues vetëm nga një vendim i Komisionit Evropian.