Zëvendës Kryeministri Erion Braçe ka reaguar mbi përplasjet e protestuesve me efektivët e Policisë, si edhe për hedhjen e shashkave dhe të tymueseve ndaj godinave të Kryeministrisë dhe të Parlamentit. “GRUSHTA AMERIKANO-GJERMANE HANË, MË TË DHUNSHËM BËHEN!”- e ka titulluar Braçe një shkrim tijin të postuar në faqen zyrtare në “Facebook” .
Sipas Braçes, me protestën e sotme është cënuar siguria publike nga disa mijëra njerëz të dhunshëm, situatë “që nuk i bën asgjë një shumice politike, zero! Ama ekonominë tënde e godet!”- ka nënvizuar numri dy i kabinetit qeveritar.
Duke vënë theksin tek impakti i mundshëm që protesta mund të ketë në ekonominë e vendit, Braçe shkruan se dy elementët kyç që ndikuan në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të fundit, investimet e huaja dhe rritja e turizmit, janë të rrezikuar sipas tij drejpërdrejtë nga organizmet e këtij lloji. "Një grusht politiqensh të korruptuar, tamam ata që kanë vjedhur duke vrarë e kanë vrarë për tu mbrojtur, po shkatërrojnë ekonominë tuaj!”- ka shkruar ndër të tjera Braçe.