Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e konsideroi sot grabitjen në Rinas si një incident që nuk mund ta rrëzojë sigurinë kombëtare. Sipas tij, gjëra të tilla ndodhin kudo, e për këtë arsye nuk duhet dramatizuar. Lleshaj ka akuzuar të tjerët se po i japin udhë imagjinatës së tyre, duke shmangur kështu përgjegjësinë nga ngjarja ku u vodhën plot 8 milionë euro.
“Ajo ngjarje na prek të gjithëve. Ishte seria e pestë e një seriali të nisur prej kohësh. Ajo që ndodhi pardje, ishte se Forcat e Sigurisë kanë reaguar fort. Kushdo mund të ketë të drejtë t'i japë udhë imagjinatës, por unë them se futja në imagjinatë nuk na çon gjëkundi se gjëra të tilla mund të ndodhin kudo. Nuk është kjo arsye për të dramatizuar atë që ndodhi. Morëm masa për t’i dhënë fund një historie turpi të nisur 20 vite më parë. Nëse i hyni historisë, do gjeni edhe emra të njohur që kanë kontribuar në këtë situatë. Kemi cënim dhe jo rrëzim të sigurisë, nuk mund të flasim për rrëzim të sigurisë kombëtare për atë incident që ndodhi në Rinas.” -u shpreh Lleshaj.