Pas vizitës së ekspozitës të piktorit Avni Delvina, ish-kryeministri Sali Berisha është prononcuar për median në lidhje me situatën aktuale politike dhe figurën e Edi Ramës. Sipas Berishës kryeministri aktual duhet të largohet me urgjencë për shkak të shtimit të urrejtjes popullore ndaj tij dhe mënyrës se si po e qeveris vendin. Ai i ka bërë thirrje mbështetësve të PS që ta largojnë Ramën nga pushteti për shkak se ai është njeriu më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.
“Siç e patë erdha këtu të vizitoj një ekspozitë nga piktori Avni Delvina. Ekspozitë e frymëzuar nga transformimi i Donald Trump. Çdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt. U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre që të largojnë me urgjencë Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti sepse e them me bindjen time më të thellë se urrejtja ndaj tij bëhet çdo ditë me e pakufishme. I bëj thirrje socialistëve të mos nënvlerësojnë situatën, sepse në mënyrë absolute ndëshkimi popullor për Edi Ramën do të jetë tepër i sigurtë. Ndaj t'i thërrasin mendjes. Ky është një revolucion i nisur nga studentët, tani e kanë marrë fjalën qytetarët. Çdo javë e Edi Ramës në pushtet është rrezik madhor kombëtar. Ik! Ik dhe vetëm ik! Dilni socialistë përzini Edi Ramën, largojeni nga pushteti njeriun më të rrezikshëm pas Enver Hoxhës”- tha Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh se nuk do këtë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.
"Opozita po bën përgatitje të etshme për zgjedhjet, por zgjedhje me Edi Ramën në Shqipëri nuk do ketë më, për këtë ju garantoj“, tha Berisha.
I pyetur në lidhje me thirrjet e ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan që të mos dorëzohen mandatet, Berisha është përgjigjur se të huajt duhet të vijnë e të shohin realitetin në Shqipëri.
"Ata nuk kanë qëllime të këqija, por të vijnë të shohin një realitet që do të jetë në shumë aspekte krejt tjetër"- tha ai.