Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk i ndali kritikat ndaj homologut të Tiranës, Edi Rama të cilin e ka akuzuar shpesh se po ndërhyn më shumë seç duhet në punët e brendshme të një vendi tjetër. Në emisionin “Tempora” të gazetares Sonila Meço në Ora Neës kreu i ekzekutivit të Prishtinës tha se Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë hyrë në agjendë të gabuar ndërsa e konsideroi shefen për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini si armike të Kosovës.
“Suksesi i Kosovës nuk është i lidhur me dinamikën e zonjën Mogherini, as me agjendën për dialog. Kosova ekziston. Është më vete. Askush nuk mund të jetë më i padobishëm për Kosovën se Mogherini. Ajo ka devijuar diskutimin.
Në vend që të flitet për marrëveshje me Serbinë për njohje, ajo e ka devijuar diskutimin në territore dhe kufij. Ajo është armike e vendit tim. Këto diskutime për kufij të zonjës Mogherini i kanë bërë dëm BE-së, e kanë shkatërruar realisht një mundësi që ka pasur BE për një marrëveshje. E ka kthyer procesin mbrapa.
Mua më vjen shumë mirë për qëndrimin e palëkundur të kancelares Merkel. Por nuk është vetëm kancelarja Merkel. Mos harro, mbi 90% e vendeve të BE-së janë kundër. Për këtë kam thënë që kryeministri i Shqipërisë, Rama, Presidenti Thaçi kanë hyrë në agjendë të gabuar.
Kushdo që lëviz në kufij është në agjendën e Putinit. Ridizanjimi i kufijve është agjendë e Putinit. Me ju thënë shqiptarëve jepni veriun 500 miliardë, ku Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë. Krejt është kalkulim i agjenturave të Moskës, në të cilën kanë rënë në grackë në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kanë marrë paret e tyre” – tha Haradinaj. ©LAPSI.al