Princi Vidi mori fronin e Principatës së Shqipërisë më 7 mars 1914 duke u përballur me një situatë kaotike politike, brenda vendit dhe nga fqinjët. Me Traktatin e Londrës të nënshkruar më 30 maj 1913, fuqitë e mëdha vendosën themelimin e xhandarmërisë ndërkombëtare për t'u kujdesur për rendin dhe sigurinë publike në territorin e Principatës së Re të Shqipërisë. Në të njëjtën bazë ata krijuan Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit më 15 tetor 1913, për t'u kujdesur për administrimin e Shqipërisë së sapoformuar derisa institucionet e saj politike të ishin në rregull.
Esad pashë Toptani, si ministër i luftës dhe i brendshëm, ishte kundër zgjidhjes paqësore të problemit me Deklaratën e Pavarësisë së Epirit të Veriut. Ai u kundërvu Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit i cili besonte se ky problem mund të zgjidhet me mjete diplomatike. Princi dhe kabineti i tij pranuan propozimet e Esad Pashës për të vendosur për zgjidhje ushtarake. Për të rritur forcën ushtarake të Principatës së Shqipërisë, mijëra pushkë italiane dhe armë austriake të makinave dhe maleve u blenë dhe u shpërndanë popullatës (kryesisht myslimane) të Shqipërisë qendrore.
Rebelimi/ Faza e parë
Kryengritja shpërtheu në maj 1914. Krerët proturq të rebelëve bashkë me emisarët osmanë me të cilët bashkëpunonin u përpoqën të nxisnin paragjykime fetare ndaj Princ Vidit dhe t'i jepnin luftës kundër tij dhe shtetit shqiptar karakterin e një lufte për mbrotjen e Islamit.
Më 17 maj Shijaku dhe Tirana u rrethuan nga rebelët, kurse një ditë më vonë u rrethua Durrësi. Dyshimi për organizimin e rebelimit ra mbi Esat Pashë Toptanin për shkak të thashethemeve që u përhapën dhe për shkak të kaluarës së tij me intriga, prandaj më 19 maj ai u arrestua. Po atë ditë rebelët morën Shijakun.

Kaosi u shtua pas dëbimit të Esad Pashës. Pas marrjes së Tiranës dhe Shijakut në fund të majit, rebelimi u zgjerua edhe më shumë. Në fillim të qershorit morën Krujën dhe Kavajën. Më 15 qershor sulmuan Durrësin i cili u mbrojt me sukses dhe me sakrifica të mëdha nga forcat qeveritare të kryesuara nga Gjon Markagjoni, malësorët e Isa Boletinit dhe vullnetarët durrsakë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi.
Më 17 qershor rebelët sulmuan prapë Durrësin, por prapë dështuan ta merrnin. Atë ditë ra Lushnja. Më 21 qershor ra Elbasani. Më pas ranë Fieri dhe Berati.
Duke përfituar nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi për shkak të rebelimit në Shqipërinë e Mesme, forcat vorio-epirote sulmuan dhe pushtuan Kolonjën, Korçën dhe Tepelenën.
Në fund të gushtit rebelët u përgatitën të sulmonin Vlorën, por banorët duke dashur të shmangnin luftën e dorëzuan qytetin vetë, me kusht që flamuri shqiptar të mos prekej. Më 1 shtator rebelët hynë në qytet.
Më 5 shtator, dy ditë pas largimit të Princit Vid nga Shqipëria, rebelët hynë në Durrës dhe ngritën flamurin osman. Drejtuesit e rebelëve dërguan një delegacion në Stamboll për t'i paraqitur qeverisë osmane kërkesën për bashkimin e Shqipërisë me Turqi dhe për të marrë udhëzime.
Faza e dytë
Në 2 tetor u kthye në Shqipëri Esat Pashë Toptani. Më parë, kishte firmosur një marrëveshje me kryeministrin serb Nikolla Pashiq me të cilën i premtonte Serbisë ankesimin e Shqipërisë Veriore dhe Lindore, si shpërblim Serbia e ndihmoi me mercenarë dhe me të holla. Në Durrës Esat Pasha shpalli veten kryetar të Qeverisë së Shqipërisë së Mesme. Me anë të grupimeve proosmane të kryengritjes e zgjeroi pushtetin në Shqipërinë e Mesme.
Ai u premtoi kryengritësve se do t'i shpronësonte bejlerët. Pas hyrjes së Perandorisë Osmane në luftë në anën e fuqive të Boshtit, marrëdhëniet e Esat Pashës me rebelët u përkeqësuan. Esati i cili ishte i lidhur me fuqitë e Antantës ndërmori veprime kundër rebelëve proturq kurse këta filluan ta luftonin Esat Pashën si tradhtar të otomanizmit dhe pronar të madh tokash.
Në nëntor 1914 rebelët dogjën shtëpinë e Esat Pashës në Laprakë dhe hynë në Tiranë ku Haxhi Qamili dogji shtëpitë e bejlerëve dhe agallarëve patriotë. Esat Pasha i cili kishte mbetur i rrethuar në Durrës, mobilizoi me ndihmën e fuqive të huaja rreth 6000 mercenarë për të sulmuar Tiranën, por me të marrë vesh këtë Haxhi Qamili mobilizoi rreth 2000 fshatarë luftëtarë dhe sulmoi ushtrinë e Esatit në fshatin Zezë afër Krujës duke e shpartalluar. Esati u kthye prapë në Durrës.
Në fillim të vitit 1915, Stambolli i cili tashmë kishte pranuar që Shqipëria të mbetej nën ndikimin e aleatit të saj austro-hungarez, u dërgoi rebelëve udhëzime që të orientonin politikën e tyre drejt Austro-Hungarisë dhe jo drejt bashkimit me Turqinë. Kjo kthesë shkaktoi përçarje në mesin e udhëheqësve të rebelimit.
Njëri krah për shkak të orientimit të ri hoqi dorë nga parullat për bashkim me Turqinë, kurse krahu i proturqve fanatikë ku bënin pjesë Haxhi Qamili dhe Man Picari, vazhduan t'i konsideronin parullat proturke si programin kryesor të kryengritjes.
Më 9 maj 1915 në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të rebelëve, u zgjodh kryetar Musa Qazimi, kurse më 13 maj Haxhi Qamili, i njohur si person me çrregullime mendore, u zgjodh Komandant i Përgjithshëm. Pas kësaj Qamili nuk pyeste më askënd për veprimet e tij. Persekutonte patriotët dhe u digjte shtëpitë, prandaj filluan ta quanin Haxhi Zjarrmi. Ai shante poshtëronte, arrestonte, burgoste dhe vriste pa gjyq kundërshtarët.
Shtypja e kryengritjes
Me nënshkrimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës në prill 1915, mbyllej shtegu për daljen e Serbisë në Adriatik përmes Shqipërisë së Mesme. Serbia duke ndjerë që po i cenoheshin interesat, vendosi të shtinte në dorë këtë rajon e para dhe të dilte në Durrës. Në këtë mënyrë ajo forconte edhe pozitat e lëkundura të vasalit të saj Esat Pashë Toptanit me të cilin kishte marrëveshje të favorshme.
Ushtria serbe e gjendur përballë presionit austro-hungarez, mbasi nuk kishte rrugë tjetër, hartoi plane për tu tërhequr përmes Shqipërisë dhe për të mbërritur në skelat e Detit Adriatik, nga ku do të largohej me anijet e Aleatëve. Esat Pasha deklaroi se nuk do t'i luftonte forcat serbe gjatë tërheqjes.
Duke parandjerë rrezikun, në fund të majit rebelët proturq i dërguan komandantit të ushtrisë serbe në Ohër dy nota me anën e të cilave pohonin qëndrimin asnjanës, kërkonin që të ruheshin marrëdhënie miqësore dhe premtonin se Serbisë nuk do t'i shkaktohej asnjë dëm nga kryengritësit. Por kërkesat e tyre nuk u përfillën.
Më 2 qershor 1915 ushtria serbe sulmoi Shqipërinë nga tre drejtime, në Shqipërinë e Mesme u ndeshën me kryengritësit të cilët i thyen dhe arritën deri në afërsi të Durrësit duke çliruar nga rrethimi disamujor Esat pashë Toptanin.
U arrestuan kryetarët e kryengritjes Haxhi Qamili dhe Musa Qazimi, duke i nxjerre përballë gjyqtarit Xhelal Bej Zogu i cili urdhëroi ekzekutimin e tyre. Kësodore mori fund Kryengritja në Shqipërinë e Mesme e cila e çoi Shqipërinë drejt shkatërrimit.
Mizoritë
Gjatë rebelimit "forcat disciplinore" të rebelëve të cilat drejtoheshin nga myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, kryen ekzekutime me qëllim të "spastrimit" të "Skizmatikëve bektashinj". Përveç "Skizmatikëve bektashinj" viktima tjera të rebelëve ishin të krishterët mësuesit patriotë shqiptarë të cilët përdornin alfabetin latin dhe klerikët myslimanë të cilët mbështesnin kombin shqiptar.
Në listën e të arrestuarve dhe të burgosurve në Berat, në periudhën janar-shkurt 1915, ishin vetëm bejlerët që përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Edhe në Elbasan ishin burgosur e internuar bejlerët e tillë, krahas atdhetarëve me prejardhje të ndryshme shoqërore. Për udhëheqësin e rebelimit, Haxhi Qamilin, bejlerët që donin pavarësinë e Shqipërisë ishin "spiunë të kaurrëve", ata që donin Turqinë ishin të mirë.
Në fazën e dytë të kryengritjes (tetor 1914-qershor 1915), krerët e rebelimit vranë atdhetarët e njohur, si Ismail Klosi, Hajredin Fratari, Baki Gjebrea, Hysen Gjirokastra etj. ©LAPSI.al