
Kushtet atmosferike janë përkeqësuar edhe në Qarkun e Dibrës, ndërkohë që ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë reshje breshëri në zonat malore. Reshjet kanë përfshirë edhe zonën e Xibrit, pranë tunelit të Murrizit, në lartësinë rreth 900 metra mbi nivelin e detit, ku breshëri ka krijuar një shtresë në rrugë.
Drejtuesit e automjeteve që lëvizin në Rugën e Arbrit rrezikohen gjatë rrugës për në drejtim të Tiranës apo Dibrës. Shoferëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, pasi prania e breshërit në asfalt mund të shkaktojë rrëshqitje dhe aksidente.
Ndërkohë, problem vijon të mbetet edhe furnizimi me energji elektrike. Në disa zona të qarkut mungesa e energjisë vazhdon, ndërsa grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit për abonentët.