
Skënder P. i duhen edhe tre muaj që të përfundojë dënimin e dhënë nga gjyqtari Taulant Banushaj, i cili e gjeti fajtor për zjarrvënie nga pakujdesia.
Tre vjet më parë, Skënder P. rrezikoi disa banesa në fshatin Kus.
Ai u dënua me 32 muaj dënim me kusht, me detyrimin që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës në Tiranë.
Mes detyrave që 58-vjeçari ka, është jo vetëm të mos kryejë vepër penale, por duke u paraqitur e duke u intervistuar, duhet të japë prova se ka reflektuar në raport me kujdesin që duhet të ketë me zjarrin.
Burri nga Vora thotë shkurt për “Faktoje” se shprehja: “kujdes nga zjarret dhe shteti” është e vërtetë, duke qenë se prej të parit për pak u dogj, ndërsa prej të dytit ai po shlyen dënimin.
Për një bisht cigare iku gati një pyll
Ashtu siç ka pohuar edhe para drejtësisë, Skënderi kujton: “Po pija duhan dhe në një moment më zuri gjumi. Dëgjova të bërtitura dhe pashë njerëz që po përpiqeshin të fiknin zjarrin. Nuk e kuptova si ndodhi”.
Ai insiston se gjithçka ndodhi nga pakujdesia.
Lidhur me këtë pohim, gjykata shprehet ndër të tjera se: “I pandehuri duhet të kishte parashikuar pasojën që mund të vinte, por nuk e ka parashikuar se, duke pirë duhan, do të mund të shkaktonte zjarr në këtë zonë për shkak të llojit të bimësisë dhe periudhës (muaji korrik) kur është shkaktuar zjarri”
Prokuroria e Tiranës i adresoi atij akuzën “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”
Kësaj radhe autoriteteve nuk iu desh shumë punë për të provuar autorësinë, e cila pasqyrohet në një procesverbal të kapjes në flagrancë, ku përshkruhet 58-vjeçari teksa përpiqej bashkë me banorët të shuante zjarrin.
Djegia në shtrirje lineare e gati 5 mijë metrave pyll (njësia administrative Kashar) u konsiderua “pasojë e rëndë që cenon ekosistemin në atë zonë, duke e bërë të panevojshme përllogaritjen në vlerë monetare të pasojës së ardhur”
Nga 5 vite burgim në shërbim prove
Shtetasi O.D. u dënua me pesë vite burgim, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke iu konvertuar koha prej 3 vitesh në shërbim prove.
Përpara gjyqtares Vjollca Spahiu, i riu tha vetëm një fjali: “Mëshirë, falje, jam i penduar”.
Akuza ndaj tij ishte shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor.
Ai donte të pastronte përmes djegies një sipërfaqe prej 50 metrash në fshatin Kutreq, por situata i doli nga dora dhe vatra shpërtheu, duke dëmtuar afro 3 hektarë, kryesisht dru pishe dhe shkurre që gjendeshin në territorin e zonave të mbrojtura.
Dëmi i llogaritur në këtë rast ishte 1 050 000 lekë, që, sipas VKM-së nr. 558, datë 29.07.2022, u vlerësua si shkelje me pasoja të rënda.
Situata
Ndërkohë, zjarret janë rikthyer kërcënueshëm edhe këtë vit.
Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, tha për Faktoje se: “Si rezultat i reagimit në kohë të strukturave të Policisë gjatë periudhës 01.06.2026–11.08.2026, në të gjithë vendin janë vënë në pranga 21 shtetas të dyshuar si autorë, ku një pjesë janë kapur në flagrancë; 44 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim”
Kruja pa autor
Mes tyre rezultoi të ishte edhe 74-vjeçari Q.B. i arrestuar më 9 gusht për kryerjen e veprës penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, pas një vatre që nisi në lagjen Abazaj të Bashkisë Krujë dhe që rrezikoi gjithë qytetin.
Në procesverbal, oficerët shkruajnë se e gjetën 74 vjeçarin duke u munduar të shuante zjarrin me kova.
Gjatë hetimeve prokuroria konstatoi se i moshuari nuk ishte autor i zjarrvënies ndaj urdhëroi lirimin e tij dhe shpalli ndalimin e paligjshëm.
“Në dosjen e procedimit penal të administruar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë nuk është administruar asnjë provë direkte apo indirekte, se shtetasi Q.B. me dashje i ka vënë zjarrin pronës në afërsi të banesës së tij, e cila theksojmë do të ishte e para që do të dëmtohej nga zjarri për shkak të afërsisë me vendin ku ka rënë zjarri.
E vetmja indicie është afërsia e banesës me vendin ku ka filluar zjarri si dhe fakti se ky shtetas kalonte në këtë rrugë dy herë në ditë për shkak se punonte në depon e ujit që furnizonte lagjen e tij dhe qytetin e Krujës.
Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal pa autor dhe do vazhdojë kryerjen e hetimeve të hollësishme, të gjithanshme, të pavarura dhe objektive me qëllim administrimin e të gjitha provave të nevojshme dhe zbulimin e ngjarjes së ndodhur nëse ajo ka qenë e qëllimshme apo aksidentale duke vendosur kështu përpara përgjegjësisë personin /personat përgjegjës”
Çfarë nuk shkon me gjetjen e autorëve?
Mihallaq Qirjo, kreu i REC Albania dhe drejtues i një prej studimeve të pakta mbi drejtësinë mjedisore në qytetet Korçë, Elbasan dhe Tiranë, thotë se zinxhiri i hetimit nuk funksionon siç duhet.
“Hallka më problematike është ajo e oficerëve të policisë gjyqësore, që është përgjegjëse për grumbullimin e provave edhe për rastet kur ato raportohen nga policia, individë apo organizata të tjera.
Vonesat gjatë grumbullimit të provave të mjedisit dhe mungesa e një qartësie në kuadrin ligjor mjedisor në nivelin e dëmit dhe efektet që krimet mjedisore shkaktojnë mbi shëndetin, ekosistemin dhe biodiversitetin, bëjnë që problematika të shoqërohet gjatë dhënies së drejtësisë mjedisore”
Gjyqësori me dosjet dëng
Një udhëzim të KLGJ-së i datës 6 maj 2026 i kërkon Gjykatës së Apelit që të shqyrtojë me prioritet, edhe çështjet me objekt mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
Në dijeni të plotë të këtij udhëzimi, i cili vendos në prioritet të kalendarit të gjyqtarëve gjykimet mjedisore, veç atyre që lidhen me interesin e fëmijëve, kujdesin ushqimor, paditë e divorceve dhe ato të marrëdhënieve të punës, kancelarja e kësaj gjykate, Lertida Balili, e sheh si një ogur të mirë këtë lëvizje.
Por ajo shton se, “stoku deri në fund të muajit korrik ka mbërritur në 46,679 çështje, të cilat duhet të gjykohen nga vetëm 41 gjyqtarë.
Është fakt se në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ende çështjet e vitit 2018, mes tyre ato me afat dhe ato për të cilat kërkohet përshpejtimi. Përderisa sipas këtij udhëzimi mund të kërkohet përshpejtimi edhe për këtë kategori, natyrisht që është një sinjal i mirë. Por, në dijeninë time, për këtë kategori nuk ka pasur deri më tani kërkesë për t’i përshpejtuar”.
Në një kohë kur drafti i Kodit të Ri Penal është ende në proces dhe kur parashikohet një gamë më e madhe veprash penale për drejtësinë mjedisore, në paketën aktuale janë të dënueshme 19 vepra

Mes tyre përfshihen edhe dispozitat për zjarrvënien, shkatërrimin e pronës me zjarr.
Të dhënat zyrtare: Shumë proçedime pak të dënuar
Nga të dhënat zyrtare zyrtare që Prokuroria e Përgjithshme vuri në dispozicion të Faktojes për krimet mjedisore gjatë pesë viteve të fundit, vërehet se numri i referimeve është i lartë për veprat e shkatërrimit me zjarr të pyjeve (neni 206/a) dhe shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr i pyjeve (neni 206/b).
Konkretisht, të dhënat tregojnë se nga 314 krime mjedisore (95 prej të cilave të pushuara), 40 procedime për vitin 2021 ishin për zjarret, por në gjykatë u dërguan vetëm dy të pandehur, të cilët u dënuan.
Njëmbëdhjetë çështje u pushuan, ndërsa të tjerat u referuan për hetime të mëtejshme dhe më pas u pezulluan për mungesë autorësh.

Në vitin 2022 trendi vijon i njëjtë: u regjistruan 34 procedime penale për këto krime, u regjistruan shtatë emra nën hetim dhe në përfundim dolën para gjykatës dy të dënuar që morën fajësi.
Për këtë vit, në total në të gjithë vendin u regjistruan 372 procedime penale, nga të cilat 130 u pushuan
Në vitin 2023, të dhënat ekskluzive të vëna në dispozicion të Faktoje tregojnë sërish hetime mjedisore që humbasin rrugës për procedurë; u regjistruan 343 procedime si krime mjedisore, nga të cilat 146 u pushuan dhe 79 u pezulluan.
Gjatë këtij viti u hetuan 26 çështje të zjarrëvënies me dashje dhe nga pakujdesia, por me akuzat në gjykatë u përballën vetëm tre shtetas.
Në vitin 2024 u regjistruan 299 procedime penale si krime mjedisore, prej të cilave 53 kishin lidhje me hetimet ndaj zjarreve.
Në gjykatë përfunduan 5 zjarrvënës që të pestë të dënuar.
Në të gjithë spektrin e çështjeve mjedisore të këtij viti 225 çështje u pushuan.
Në vitin 2025 u regjistruan 330 çështje mjedisore nga të cilat 58 ishin hetime ndaj zjarrvënies.
Gjashtë persona u morën të pandehur.
Për këtë vit u pezulluan 140 hetime për mungesë autorësh dhe 80 u pushuan

Grafik i perpunuar me AI
Krimi që vërehet se ka volum më të lartë në këtë pesëvjeçar është ai i prerjes së paligjshme të pyjeve, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja e ajrit, ujit dhe tokës
Në total, gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 1,658 procedime mjedisore, ku më shumë se gjysma janë pushuar ose pezulluar.
Ndërkohë, për krimet e zjarrvënies janë regjistruar 211 procedime, por vetëm 18 persona kanë dalë para gjykatës dhe janë dënuar.
Pasojat
Zoti Qirjo thotë për Faktoje se gjatë analizës së thelluar të gjithë zinxhirit të drejtësisë mjedisore është konstatuar se hetimi penal dhe administrativ është mjaft i ulët . “Procedura është mjaft e gjatë”, thekson Qirjo sipas të cilit arma më e fortë mbetet ende komuniteti për ta mbrojtur mjedisin. /Marrë nga Faktoje.al