
Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë hapi të enjten një thirrje të hapur për rekrutimin e stafit të ri, profesionistë të komunikimit publik, ndërsa qeveria po përballet me protesta që targetojnë korrupsionin e lartë dhe mungesën e transparencës në vendimmarrjen për investime në pronat publike.
“Ke një ide që mund ta bëjë komunikimin publik më të mirë? Na trego”, thuhet në njoftimin publik të agjencisë, ku përcaktohen dy mënyra punësimi: si punonjës i brendshëm i agjencisë ose si bashkëpunëtor.
Thirrja nuk ka përcaktime të qarta të kritereve të punësimit, por lë të hapur mundësinë për personat e interesuar në “ekspertizë” dhe “inovacion”.
Prej më shumë se dy muajsh, Shqipëria është përfshirë nga një protestë maratonë kundër qeverisë, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës se si qeveria administron pronën dhe pasuritë publike.
Protestat kanë sfiduar imazhin e kultivuar nga qeveria brenda dhe jashtë vendit si promotore e zhvillimit turistik dhe investimeve të huaja, duke e zhvendosur debatin publik te lidhjet mes pushtetit dhe investitorëve ‘strategjikë’, mungesa e transparencës dhe akuzat për favorizimin e interesave të biznesit në kurriz të pronës dhe interesit publik.
Drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa, i tha BIRN se nuk bëhet fjalë për një numër vendesh vakante që do të plotësohen, por për një iniciativë që synon reformimin e plotë të të gjithë institucionit dhe të mënyrës së komunikimit institucional në tërësi, në bazë të prurjeve të reja që do të aplikojnë.
“Ky është një reformim që nis me komunikimin e institucioneve publike dhe jemi të hapur për çdo ide të re që do të vijë, qoftë për zëdhënës të ministrive, ide të reja të komunikimit edhe në platformat sociale, duke marrë në konsideratë zhvillimin e teknologjisë, si dhe ekspertiza të tjera që kanë në fokus komunikimin”, tha Hasa.
Sipas saj, thirrja duhet parë si hapi i parë i zbatimit të një kontrate të re të qeverisë me qytetarët, që nis pikërisht nga komunikimi publik.
Agjencia ka një organikë të miratuar prej 69 punonjësish, të cilët punojnë si zyrë shtypi për komunikimin publik të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij.
Organizatat ndërkombëtare të medias kanë kërkuar mbylljen e kësaj agjencie, duke e cilësuar si “ministri propagande” që përqendron më shumë kontrollin e qeverisë mbi informacionin. /Marrë nga Reporter.al
