Flash

Meta denoncon skandalin: Për takimet me avokatin më futin në një dhomë me kamera 

Lapsi.al 13 August 2026

Ish-presidenti i Republikës Ilir Meta ka denoncuar monitorimin me kamera të takimeve me avokatin e tij Ledi Bianku në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë. Meta e ka cilësuar situatën si “cenim të së drejtës për mbrojtje efektive dhe të konfidencialitetit të komunikimit avokat-klient”.

Meta tha se takimi i dytë i zhvilluar këtë të enjte me Biankun u bë pasi ai do ta përfaqësojë përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Sipas Metës, edhe gjatë takimit të parë, më 17 korrik, Bianku konstatoi se ambienti ku zhvillohej takimi ishte nën monitorimin e një kamere. Për këtë arsye, dy mbrojtësit e tij ligjorë iu drejtuan zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.

Meta pretendon se ndaj kësaj kërkese nuk është dhënë përgjigje dhe se, edhe në takimin e zhvilluar sot, ambienti vijonte të ishte i monitoruar me kamera.

REAGIMI I ILIR METËS:

Sot zhvillova takimin tim të dytë me avokatin e mirënjohur Prof. Ass. Ledi Bianku, të cilin e falënderoj me mirënjohje për gatishmërinë për të më përfaqësuar përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

E konsideroj të nevojshme të bëj publik një fakt serioz, që prek drejtpërdrejt ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe konfidencialitetin e komunikimit ndërmjet një personi të privuar nga liria dhe mbrojtësit të tij ligjor.

Gjatë takimit të parë, të zhvilluar më 17 korrik 2026, avokati Prof. Ass. Bianku konstatoi se ambienti në IEVP “Jordan Misja”, ku po zhvillohej takimi ynë, ishte nën monitorimin e një kamere.

Ky fakt, në vlerësimin tonë, përbën një çështje serioze të papajtueshmërisë me garancitë ligjore shqiptare dhe standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket konfidencialitetit të komunikimit ndërmjet të paraburgosurit dhe avokatit, si dhe ushtrimit real dhe efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe të përfaqësimit përpara GJEDNJ.

Për këtë arsye, me qëllim që situata të korrigjohej përpara takimit të radhës, dy mbrojtësit e mi ligjorë i janë drejtuar zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.

Pavarësisht këtij komunikimi zyrtar, deri në zhvillimin e takimit të sotëm nuk është dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtësve të mi dhe, më shqetësuesja, situata nuk ka ndryshuar.

Edhe takimi i sotëm me Av. Prof. Ass. Bianku është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera.

Ky fakt nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht administrative apo teknike. Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor, qoftë përpara gjykatave shqiptare, qoftë përpara GJEDNJ.

Çdo ndërhyrje ose monitorim i këtij komunikimi, përtej kufijve të përcaktuar qartë nga ligji, cënon vetë thelbin e kësaj garancie.

Në këto rrethana, dhe në mungesë të një reagimi institucional ndaj kërkesave të paraqitura, e konsideroj të domosdoshme të bëj publike letrën zyrtare të dy mbrojtësve të mi ligjorë, si dhe të ndjek të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të mia.

Për këtë arsye, së bashku me mbrojtësin tim ligjor Av. Prof. Ass. Ledi Bianku, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur para saj shqetësimin lidhur me cenimin e garancive të Konventës dhe, në veçanti, të standardeve që lidhen me të drejtën për një proces të rregullt, të drejtën e mbrojtjes dhe përfaqësimit efektiv, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.

Theksoj se qëllimi i këtij qëndrimi publik nuk është thjesht denoncimi i një rasti individual, por domosdoshmëria për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të garancive që duhet të jenë të padiskutueshme për çdo person të privuar nga liria që duhet të gëzojë mbrojtje efektive ligjore.

Çështja tashmë do të ndiqet në rrugë institucionale dhe juridike, në përputhje me të gjitha mjetet ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

 

Të këshilluara

ide

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

92.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI