
Mes tensioneve që vijojnë të mbajnë Lindjen e Mesme në prag të një përshkallëzimi të ri, përpjekjet diplomatike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duket se nuk janë ndërprerë plotësisht. Edhe pse terreni vazhdon të dominohet nga sulmet ushtarake, në prpaskenë po zhvillohen negociata intensive për një marrëveshje që synon të ndalë luftën dhe të shmangë një krizë më të thellë rajonale. Bisedimet për paqe mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbetet ende të hapura, pavarësisht bombardimeve amerikane ndaj objektivave iraniane të martën.
Ministria e Jashtme e Iranit e dënoi sulmin amerikan, duke e cilësuar si “shkelje të qartë të armëpushimit”. Megjithatë, Teherani nuk u tërhoq nga bisedimet që po vazhdojnë nën ndërmjetësimin e përbashkët të Pakistanit dhe Katarit. Ushtria iraniane nuk njoftoi masa konkrete hakmarrëse, çka nënkupton se nuk dëshiron që sulmi, ku mbetën të vrarë katër ushtarë iranianë, të prishë hapat e fundit drejt një marrëveshjeje. Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian dhe njëherazi negociatori kryesor i Teheranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, po vijon bisedimet për zhbllokimin e mbi 12 miliardë dollarëve asete iraniane të ngrira jashtë vendit dhe transferimin e tyre në llogari iraniane. Paralelisht, ai po kërkon edhe lehtësim të përkohshëm të sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe produkteve petrokimike, gjatë afatit 60-ditor të parashikuar për negociatat mbi kufizimet e reja të programit bërthamor të Iranit.
Një afat 30-ditor është parashikuar në marrëveshje për heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane të naftës nga SHBA dhe për lejimin nga Irani të lundrimit tregtar në ngushticën e Hormuzit, duke rikthyer trafikun detar në nivelet para nisjes së luftës nga Izraeli dhe SHBA më 28 shkurt. Marrëveshja, edhe pse synon t’i japë fund luftimeve, nuk garanton ende një paqe afatgjatë. Të gjitha palët e përfshira po përpiqen ta paraqesin atë para opinionit publik si një fitore dhe si dëshmi se sakrificat e bëra gjatë konfliktit nuk kanë qenë të kota.
Ndërsa negociatat vazhdojnë, grupet më radikale në Uashington, Teheran dhe Jerusalem po shtojnë presionin ndaj negociatorëve që të mos bëjnë lëshime të tjera. Në Iran, anëtari i komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, Mahmoud Nabavian, ka deklaruar se asnjë marrëveshje nuk duhet të cenojë kontrollin e Teheranit mbi ngushticën strategjike të Hormuzit. Pavarësisht këtyre kundërshtive, Ghalibaf, i rizgjedhur së fundmi si kryetar i parlamentit iranian, duket se ka arritur për momentin të mbajë nën kontroll presionet e brendshme politike. Sipas raportimeve, pika më e vështirë e negociatave mbetet ende çështja e fondeve iraniane të ngrira, që konsiderohet pengesa kryesore mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Përtej çështjes së fondeve të ngrira, Teherani kërkon gjithashtu të forcojë armëpushimin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. Ndërkohë, Izraeli vijon operacionet për të goditur pozicionet e Hezbollahut, duke lënë të kuptohet se situata në terren po shkon drejt një përshkallëzimi dhe jo një zbutjeje të konfliktit. Të martën në mbrëmje, ushtria izraelite lëshoi dy paralajmërime të reja evakuimi për banorët e 19 fshatrave në jug të Libanit, ndërsa zgjeroi operacionet tokësore më thellë në territorin libanez. Pak orë më vonë, ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se sulmet izraelite kishin vrarë 31 persona dhe kishin plagosur 40 të tjerë.
The Guardian raporton se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili pasoi të atin pas vrasjes së tij në ditët e para të luftës, deklaroi se “rrjedha e historisë” po anon në favor të Iranit dhe bëri thirrje për unitet mes vendeve myslimane, në një mesazh të publikuar me rastin e nisjes së haxhit në Mekë. Khamenei, i cili nuk është shfaqur publikisht dhe nuk ka dhënë asnjë mesazh audio që prej marrjes së pushtetit në mars, u shfaq i sigurt në deklaratat e tij, duke parashikuar “eliminimin e Izraelit deri në vitin 2040”.
“Ajo që është e sigurt është se koha nuk do të kthehet pas dhe vendet e rajonit nuk do të shërbejnë më si mburojë për bazat amerikane. Shtetet e Bashkuara jo vetëm që nuk do të kenë më strehë të sigurt për bazat e tyre ushtarake në rajon, por dita-ditës po largohen nga statusi që kishin dikur”, deklaroi ai.
Khamenei shtoi se “regjimi zionist i tronditur dhe tumori kancerogjen i Izraelit po afrohen drejt fazës finale të ekzistencës së tyre të mjerueshme”, deklarata që u lexuan edhe si një kundërpërgjigje ndaj thirrjeve të Donald Trump për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve arabe, Turqisë, Iranit dhe Izraelit.
©Lapsi.al