
Përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë janë regjistruar gjatë protestës sotme në kryeqytet, ku uniformat blu kanë përdorur gaz lotsjellës, autobotë me ujë me presion dhe dronë për shpërndarjen e turmës.
Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar që në nisje të tubimit, kur persona të maskuar kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve të policisë.
Një prej incidenteve më të rënda është shënuar kur një efektiv është përfshirë nga flakët pas hedhjes së një molotovi, ndërsa një koleg i tij ndërhyn me fikëse zjarri. Ende nuk ka informacion mbi gjendjen shëndetësore të efektivit.
Përveç ndërhyrjes nga toka, policia ka përdorur edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës mbi protestuesit. Re të dendura tymi kanë mbuluar bulevardin, duke detyruar një pjesë të qytetarëve të largohen nga zona e përplasjeve. Ndërkohë, përballja mes protestuesve dhe policisë është zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej”, ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë dislokuar edhe efektivë të shoqëruar me qen policorë.