
Esmeralda Topi
Tapeti i kuq i shtruar në hyrje të Pallatit të Kongreseve, fjalimet patriotike dhe qindra të ftuar nga diaspora krijuan këtë vit atmosferën e një aktiviteti që qeveria e konsideron strategjik për lidhjen e Shqipërisë me emigrantët.
Nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, Tirana mirëpriti Samitin IV të Diasporës më 13–15 prill. Për tre ditë me radhë, në kryeqytet u zhvilluan 19 panele tematike me pjesëmarrjen e ministrave, drejtuesve të institucioneve, përfaqësuesve të organizatave të diasporës, akademikëve, sipërmarrësve dhe personaliteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës.
“Një kuvend për të kthyer lidhjet në veprim dhe potencialin në rezultate konkrete për #Shqipërinë2030”, u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e vendosur samitin në kuadrin e një platforme strategjike bashkëpunimi me diasporën.
Qeveria e promovoi aktivitetin si një ngjarje të rëndësishme kombëtare, me fokus fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve nga diaspora. Në fjalimin e tij, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në vendlindje, duke iu referuar edhe mekanizmit ligjor “Paketa e Maleve”:
“Unë iu them shqiptarëve që e kanë një copë tokë diku në një mal, diku në një kodër, që e kanë një shtëpi të braktisur të gjyshit a të stërgjyshit, që ta marrin në dorë Paketën e Maleve dhe ta kthejnë atë tokë, ta kthejnë atë shtëpi, në një burim mirëqenieje”
Sipas të dhënave zyrtare, në aktivitet u regjistruan 1,121 pjesëmarrës online dhe 68 të tjerë fizikisht, ndërsa në panele morën pjesë 139 panelistë nga Shqipëria dhe diaspora. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cilëson këtë edicion si samitin me pjesëmarrjen më të lartë krahasuar me tre edicionet e mëparshme.
Megjithatë, siç ndodh shpesh me aktivitetet e mëdha të financuara nga fondet publike në Shqipëri, pas përfundimit të samitit nuk u bë publik asnjë informacion i detajuar mbi kostot e organizimit.
Për të mësuar se sa u shpenzua dhe si u përdorën fondet publike, Faktoje iu drejtua Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme me një kërkesë zyrtare për informacion.
Kërkesa e parë u dërgua një ditë pas përmbylljes së aktivitetit (më 14 prill 2026) dhe synonte të siguronte të dhëna mbi kostot e organizimit, dokumentacionin financiar mbështetës, shpenzimet për panelistët dhe raportin përfundimtar.
Në përgjigjen e saj më 27 prill, ministria deklaroi se:
“Kostoja totale e organizimit të Samitit të Diasporës nuk është finalizuar ende, pasi priten informacionet e detajuara përfundimtare, që do të përllogariten pas mbledhjes së gjithë faturave të eventit”
Kërkesa u ridërgua më 4 maj. Por përgjigjja e plotë nuk u dha brenda afateve ligjore, duke detyruar një ankimim pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Vetëm më 9 qershor, pas këtij procesi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ktheu përgjigje.
Sa kushtoi Samiti IV?
Sipas të dhënave zyrtare, Agjencia Kombëtare e Diasporës ka paguar 39,731,924 lekë për shërbime logjistike, qira ambienti dhe catering, të realizuara nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.
Ndërkohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka deklaruar shpenzime shtesë në vlerën 2,220,594 lekë. Në total, kostoja e deklaruar e Samitit IV të Diasporës arrin në 41,952,518 lekë, ose rreth 420 mijë euro.
Sipas të dhënave zyrtare, në samit u regjistruan 1,121 pjesëmarrës online dhe 68 fizikisht, ose 1,189 persona në total. Bazuar në këtë shifër, kostoja mesatare rezulton rreth 35,284 lekë, ose afërsisht 353 euro për pjesëmarrës.
Megjithatë, kjo mbetet një llogaritje orientuese pasi institucioni pranon se numri real i pjesëmarrësve ka qenë më i lartë, për shkak të pranisë së panelistëve, mediave dhe pjesëmarrësve që nuk figurojnë në listat zyrtare.
Po ashtu, mbetet e paqartë kostoja për 139 panelistët e ftuar nga Shqipëria dhe diaspora. Në përgjigje të pyetjes mbi shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, institucionet nuk dhanë shifra konkrete, duke sqaruar se këto shpenzime janë mbuluar nga institucionet organizatore sipas përgjegjësive të secilit panel.
Raport pa financa
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është raporti përfundimtar i samitit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se raporti është finalizuar dhe pritet të publikohet, por saktëson se ai trajton vetëm aspektet organizative të aktivitetit.
“Është finalizuar Raporti Përfundimtar i Samitit të IV të Diasporës, duke reflektuar aspektet kryesore të organizimit dhe realizimit të aktivitetit (jo aspektet financiare). Publikimi i tij në faqen e MEPJ pritet të bëhet në ditët në vijim”
Katër samite, pak transparencë
Samiti i parë i Diasporës u mbajt në vitin 2016, i dyti në 2019, i treti në 2023 dhe i katërti në prill 2026. Në dhjetë vjet, qeveria i ka paraqitur këto aktivitete si mekanizma për forcimin e lidhjeve me rreth 2.25 milionë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Megjithatë, edhe pas katër samitesh, mungon një bilanc i qartë mbi rezultatet konkrete të tyre, investimet e gjeneruara apo ndikimin real në marrëdhënien me diasporën.
Po aq e kufizuar mbetet edhe transparenca financiare. Në rastin e Samitit IV, institucionet publikuan vetëm shifrën totale të kostos, pa vënë në dispozicion dokumentet mbështetëse që do të mundësonin verifikimin e saj. Për rrjedhojë, publiku di se samiti kushtoi rreth 420 mijë euro, por jo saktësisht se si u shpenzuan këto para./Faktoje.al