Flash

Historia e pabesueshme e shkrimtarit me ngjyrë që u propozua për çminin Goncourt, por më pas u akuzua se e kish shkruar romanin me IA

THÉLYSON ORÉLIEN: Nga “fenomen” i letërsisë te “i përndjekuri”, një shkrimtar i lënë vetëm

Lapsi.al 5 October 2026

Historia e pabesueshme e shkrimtarit me ngjyrë që u propozua për


Nga Rachid Laïreche – Libération

Bota e letërsisë franceze duket se ka humbur ekuilibrin. Brenda pak ditësh, gjithçka është përmbysur. Botues, shkrimtarë dhe drejtues shtëpish botuese përpiqen, zakonisht në mënyrë anonime, të gjejnë fjalët e duhura për të përshkruar atë që ka ndodhur.
Thélyson Orélien, 38 vjeç, autor i romanit "Ishte kjo ose të vdisja" (C'était ça ou mourir), botuar nga Grasset më 19 gusht, ra nga qielli në vorbullën e një skandali. Romani, i cili ishte shndërruar në një nga fenomenet e sezonit letrar francez dhe ishte përfshirë në listat e disa prej çmimeve më prestigjioze, qe shitur deri në ato momente  më shumë se 65 mijë kopje.
Pastaj gjithçka u përmbys.
Orélien u detyrua të ndërpriste promovimin pasi u akuzua se kishte përdorur inteligjencën artificiale në shkrimin e romanit. Më pas, kundër tij plasën akuza të tjera për plagjiaturë në tekste të mëparshme.
Por kjo histori flet për shumë më tepër se sa një debat mbi AI-në apo plagjiaturën. Ajo prek xhelozinë, përkatësinë klasore, racizmin, luftën mes shtëpive botuese, cinizmin e industrisë së librit, çmenduritë e çmimeve letrare dhe pyetjen gjithnjë e më të madhe mbi vendin e inteligjencës artificiale në letërsi.
Në të njëjtën kohë, është historia e ambicies së një shkrimtari kanadezo-haitian që kërkonte vetëm një vend të vogël në botën e letërsisë.
Por gjithçka doli jashtë kontrollit.
Më 27 shtator, i lodhur dhe i çorientuar, Thélyson Orélien u kthye në Kanada, pasi, siç shprehet ai, ishte “përndjekur”, pa hequr dorë nga e vërteta e tij.

Kapitulli I – Ankandi

Romani "Ishte kjo ose të vdisja", i botuar fillimisht në mars në Kanada, ishte kthyer në një sukses të madh për shtëpinë botuese të pavarur Boréal. PVrbënte suksesn e saj më të madh në 60 vite ekzistencë. Lajmi kaloi shpejt Atlantikun.
Në Francë, rreth romanit u zhvillua pothuajse një ankand në pranverë, siç ndodh zakonisht me librat e suksesshëm të botuar më parë jashtë vendit.
Historia e romanit sillet rreth Jonas Dorléon, një profesor historie dhe gjeografie që detyrohet të largohet nga Haiti nën kërcënimin e bandave dhe përshkallëzimin e dhunës në lagjen e tij në Port-au-Prince.
Një agjente letrare ndërmjetësoi mes Kanadasë dhe Francës dhe ia ofroi librin tetë shtëpive botuese. Ankandi u përshkallëzua shumë më shpejt nga sa pritej.
“Ofertat arritën shumë më lart se parashikimet. Boréal priste katër herë më pak”, tregon një prej pjesëmarrësve.
Romani kishte gjithçka që mund të kërkonte tregu: një poet dhe refugjat haitian që rrëfente në mënyrë prekëse historinë e mërgimit të tij.
“Një mundësi perfekte për të shitur libra dhe për të pasur edhe një ndërgjegje në paqe”, thotë një prej botuesve.
Pothuajse të gjithë u futën në garë me sytë mbyllur.
Vetëm një botues u tërhoq pasi vuri re disa “mospërputhje” në tekst. Sot, ai nuk pendohet. As humbësit e ankandit nuk pendohen. Përkundrazi, që prej shpërthimit të skandalit, shumë prej tyre thonë në kor se ndiejnë lehtësim.
Në fund, Grasset e fitoi garën pasi pagoi më shumë se 80 mijë euro për të drejtat e romanit.
Në Saint-Germain-des-Prés, entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm.
Romani cilësohej si “i butë”, “i ngrohtë”, një tekst që i bënte mirë moralit në një botë gjithnjë e më brutale.
Dyshimi nuk ekzistonte.
Thélyson Orélien do të ishte fenomeni i sezonit letrar.

Kapitulli II Dalja – triumfale

Gjërat nisën pikërisht siç pritej.
Ishte kjo ose të vdisja shkëlqeu në libraritë franceze gjatë verës. Autori debutues u ngjit në krye të shitjeve. Kritikat ishin entuziaste.
Festivalet letrare, mediat dhe libraritë nisën të kërkonin praninë e tij. Një “fenomen” me një fytyrë simpatike.
Në Grasset festohej. 
Tani, suksesi i njërit po bëhej arsyeja e pakënaqësisë së të tjerëve.
Xhelozia e sëmurë e botës letrare hyri në skenë.
Orélien u shfaq në të gjitha listat e para të çmimeve të vjeshtës: Goncourt, Renaudot, Femina, Médicis.
Një “Grand Slam” i rrallë për një autor debutues.
Por historia e emigrantit simpatik nuk po i bënte më të gjithë të qeshnin.
Pyetjet nisën të shfaqeshin:
A e kishte shkruar vërtet vetë librin?
Si mund të shkruante një roman kaq të mirë dikush që në të folur përdorte një fjalor kaq të thjeshtë?
Jeta e Orélien filloi të hetohej nga armiqtë e rinj. “Çfarë fsheh?” “Si arriti deri këtu?”
Një botues që e kishte mbrojtur për ditë me radhë, përpara se të merrte distancë prej tij, e shpjegon kështu:
“Po bëhej një pretendent serioz për shumë çmime. Kjo ishte e vështirë për ata që nuk e pëlqenin librin dhe sidomos për ata që nuk duronin dot të shihnin një të huaj të ardhur nga larg duke shkëlqyer.”
Skeptikët vunë re një “mospërputhje mes gjuhës së tij të shkruar dhe asaj të folur”.
Megjithatë, Orélien vazhdonte rrugëtimin e tij.
Udhëtonte nëpër Francë, takohej me lexuesit dhe ende kishte shumë mbështetës në media, botime dhe librari.
Më 21 shtator erdhi kurorëzimi i parë: Çmimi Fnac për romanin.
Dielli dukej se shkëlqente mbi të. Por vetëm për pak minuta.

Kapitulli III – Stuhia

Pak minuta pas shpalljes së çmimit Fnac, shpërtheu stuhia.
Një llogari anonime në rrjetet sociale, me emrin “Balance ton Claude”, pretendoi se “fenomeni i sezonit letrar” e kishte shkruar romanin “pothuajse tërësisht me inteligjencë artificiale”.
Pretendimi mbështetej në analizën e romanit nga detektori i AI-së Pangram. Akuzat u përhapën me shpejtësi.
Më vonë do të mësohej se pas llogarisë qëndronte Samuel Fitoussi, kronist i Le Figaro.
Thélyson Orélien i mohoi akuzat në një bisedë telefonike. Ai foli për dashurinë e tij ndaj fjalëve dhe shkrimit, për moskuptimin e asaj që po ndodhte dhe për xhelozinë. Por mbi të gjitha foli për sulmet raciste që po derdheshin në rrjetet sociale.
Një shkrimtar i zi, haitian, që mbron emigrantët, sapo është kurorëzuar me sukses dhe tani akuzohet për mashtrim?
Për të djathtën ekstreme, shkruan Libération, kjo ishte një mundësi e artë.
Grasset, tashmë e përfshirë në një situatë kaotike, doli në mbrojtje të autorit.
Brenda shtëpisë botuese, disa nisën të flisnin për “racistë dhe ziliqarë”. Nuk bëhej fjalë për të vënë në dyshim kampionin e tyre.
Edhe autorë dhe ish-punonjës të Grasset, e mbështetën Orélien.
Dyshimi, në atë moment, pothuajse nuk ekzistonte.
Pas tij u rreshtuan emra si Pascal Bruckner, Tania de Montaigne, Frédéric Beigbeder dhe Virginie Despentes.
Ata kërkonin një mënyrë për ta nxjerrë autorin nga kurthi.
Një tekst i përbashkët nisi të qarkullonte.
Por koha po mbaronte.
Përplasja në media dhe në rrjetet sociale u bë e ashpër. Një botuese e njohur e Saint-Germain-des-Prés e përmbledh kështu situatën: “Grasset, e cila ishte shndërruar në një shtëpi botuese fantazmë, duhej ta kishte menaxhuar komunikimin duke i dhënë fund shpejt polemikës. Duhej ta kishte tërhequr autorin që në fillim, për ta mbrojtur dhe për t'i dhënë kohë së vërtetës të zbulohej.”
Por situata kishte dalë tashmë jashtë kontrollit.
Debati, fillimisht mbi AI-në, u kthye shpejt në një debat mbi racizmin, vendin e autorëve të zinj në letërsi dhe mënyrën se si industria e botimeve përzgjedh dhe trajton “fenomenet” e saj.
Dhe ndërsa shtëpitë botuese përpiqeshin të gjenin një përgjigje, lindën pyetje të reja për vetë besueshmërinë e mjeteve që pretendojnë të zbulojnë përdorimin e inteligjencës artificiale.

Nga “fenomen” në të përndjekur

Polemika mori një kthesë edhe më të fortë kur media kanadeze ndërhyri në histori. Gazeta La Presse dhe transmetuesi publik Radio-Canada zbuluan se Thélyson Orélien kishte publikuar më herët disa tekste, mes tyre edhe një kronikë dhe një tregim, ku ishin konstatuar pasazhe të plagjiuara. Tashmë ai ishte i rrethuar. Paradoksi ishte i plotë: romani vazhdonte të shitej në librari, por autorit po i shembeshin njëra pas tjetrës mbështetjet. Më 25 shtator erdhi pasoja e parë konkrete.
Akademia Goncourt njoftoi tërheqjen e romanit nga përzgjedhja e saj. Libri, i cili ishte i vetmi që ende mbante një mbështetje të fortë në listë, u përjashtua. Natën e asaj dite, gjithçka dukej e mbyllur.

Kapitulli IV – “Duam të më mbyllin gojën”

Gjatë këtyre ditëve, Orélien kaloi nëpër gjendje të ndryshme: një mëngjes ishte i qetë, më pas i zemëruar, pastaj i dorëzuar.
Gjithçka varej nga lajmi i radhës. Ai ishte larguar nga Haiti në vitin 2010, pas një tërmeti shkatërrues, për t'u bashkuar me familjarët në Kanada. Nuk kishte kërkuar kurrë famën. “E dua takimin me lexuesit, por e kam të vështirë me fansat. Nuk i duroj skenat, ceremonitë dhe gjithë këto mënyra të sjelljes”, kishte thënë ai përpara se gjithçka të shpërthente.
“Kur njerëzit më quajnë fenomen, e teprojnë. Kjo fjalë duhet t'i rezervohet motit.”
Tani, telefoni i tij ishte mbushur me mijëra mesazhe mbështetjeje.
Por realiteti ishte i pamëshirshëm.
Ai u detyrua të pezullonte promovimin e librit.
Pas zbulimeve për plagjiaturën, nuk mund të vazhdonte më.
Thélyson Orélien, i cili lexon dhe shkruan që kur ishte i ri, kishte ëndërruar vetëm të botonte libra në Kanada.
Botimi në Francë, përkthimi në dhjetëra vende dhe nominimet për çmimet prestigjioze nuk ishin në planin e tij.
Tani, në mes të stuhisë, përsëriste të njëjtën fjali:
“Ata nuk kërkojnë të prekin librin tim. Ata duan të prekin zërin tim. Duan të më mbyllin gojën.”
“Ata”, sipas tij, janë e djathta ekstreme, por edhe armiqtë e rinj të botës së Saint-Germain-des-Prés.
Ai nuk e pranoi përdorimin e inteligjencës artificiale, ndërsa akuzat për plagjiaturë vazhdonin.
Orélien duhej të kthehej në Ottawa në mesin e tetorit. Por, në vend të kësaj, u largua në heshtje më 27 shtator.
Kaloi Atlantikun në drejtimin e kundërt.
Erdhi në Francë si një “fenomen” që nuk e kishte kërkuar këtë emër.
U largua si një shkrimtar i lodhur, i tronditur dhe, sipas fjalëve të tij, “i përndjekur”.
Tani dëshiron vetëm të pushojë dhe të vendosë mendimet në vend.
Disa njerëzve u ka premtuar se do të rikthehet së shpejti për të thënë me zë të lartë të vërtetat e tij.
Të tjerëve u ka lënë një përgjigje më të errët:
“Këtë do ta marr me vete në varr”

Marrë nga Liberation, përgatiti T.Cela, Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI