
Një poker golash që shuan polemikat. Belgjika mposht 4-1 SHBA-në dhe siguron biletën për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026. Të shkëlqejë në ndeshjen e Seattle Stadium, e paraprirë nga polemikat për pezullimin e skualifikimit të amerikanit Balogun, ishte Charles De Ketelaere, autor i një dopiete në minutat e 9' dhe të 33'. Mes tyre erdhi barazimi i përkohshëm i vendasve, i realizuar nga Tillman në minutën e 31'. Në pjesën e dytë Vanaken shënoi për 3-1 në minutën e 57'. Lukaku realizoi golin e 4-1 në minutën e 93' duke festuar pastaj me shokët me “Trump dance”, kërcimin e presidentit në natën e Village People. Belgjika do të luajë për një vend në gjysmëfinale kundër Spanjës.
Donald Trump tani e di se futbolli është më kompleks sesa një lojtar i vetëm i skualifikuar që futet në fushë mbi çdo rregull, por duhej ta njihte atë shprehjen e vjetër anglosaksone: karma is a bitch, siç thonë edhe në Amerikë. Edhe në këtë lojë mënyra më e mirë për t’i bërë gol vetes është t’i prekësh krenarinë kundërshtarit. Kështu, në atmosferën e zjarrtë të Seattle-s, Shtetet e Bashkuara e hodhën në fushë sulmuesin e tyre të falur nga FIFA, por nuk llogaritën urinë më të madhe të belgëve, të prekur në krenari pas një rasti të destinuar të hyjë në histori. Balogun, në fund, vetëm sa e gudulisi Rudi Garcian: trajneri francez, përkundrazi, më në fund gjeti një skuadër të vërtetë, shumë të fortë dhe tashmë gati për të sfiduar Spanjën e madhe në çerekfinale.
Ky sukses 4-1 ndaj vendasve, plotësisht i merituar, është paraqitja më e mirë e Djajve të Kuq në versionin amerikan, më në fund të gjithë në nivel dhe të lidhur mes tyre me talentin e shpërndarë në fushë, ndërsa banda rock and roll e Pochettinos doli krejtësisht jashtë ritmit pikërisht në qytetin e grunge. Pas entuziazmit që krijuan, SHBA largohet në mënyrën më të keqe, sërish në fazën e 1/8-ave, në një edicion që kishte bërë një popull të tërë të besonte se mund të shkonte deri në fund. Nuk pati asgjë për t’u bërë: pas Kanadasë dhe Meksikës, edhe organizatori i tretë i Botërorit të zgjeruar nuk arrin të kalojë pengesën e 1/8-ave.