
Nga Shtëpia e Bardhë deri te drejtuesit e FIFA-s, duke kaluar përmes ministrave, avokatëve dhe djalit të ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Sipas një hetimi të Bild, pezullimi i dënimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Botërorit 2026 do të ishte rezultat i një aktiviteti intensiv lobimi të promovuar nga administrata e presidentit Donald Trump.
Sipas të përditshmes gjermane, vetëm pak minuta pas përjashtimit të Balogun në ndeshjen kundër Bosnjë-Hercegovinës, Andrew Giuliani do ta kishte informuar Trumpin, duke nisur një fushatë katërditore për të siguruar anulimin e pezullimit që do ta linte sulmuesin jashtë ndeshjes së 1/8-ave të finales kundër Belgjikës. Operacioni do të kishte përfshirë, përveç Andrew Giulianit – drejtues i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës –, sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick, drejtues të Federatës Amerikane të Futbollit dhe një ekip avokatësh të ngarkuar për të paraqitur ankesë pranë FIFA-s. Paralelisht do të ishin mbledhur informacione edhe për arbitrin brazilian Raphael Claus, autor i kartonit të kuq, ndërsa dosja po shqyrtohej nga organet disiplinore të FIFA-s.
Sipas Bild, të enjten Trump do të kishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar sqarime mbi rregullat që lidhen me kartonin e kuq dhe pezullimin përkatës. FIFA, e cituar nga Politico, nuk ka konfirmuar përmbajtjen e bisedës, duke theksuar vetëm se vendimi është marrë në mënyrë plotësisht të pavarur nga Komisioni Disiplinor i pavarur.
Fjalët e Trump
Të dielën FIFA njoftoi pezullimin e dënimit, duke i lejuar Balogun të luante kundër Belgjikës, por nuk bëri publik raportin që arsyeton masën dhe as nuk sqaroi nëse vendimi ishte miratuar përmes votimit të Komisionit Disiplinor, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetje mbi këtë çështje. Trump falënderoi publikisht FIFA-n për “bërjen e gjësë së duhur”.
Belgjikës i refuzohet ankimimi
Ndërkohë, Federata Belge e Futbollit vendosi të paraqesë ankimim kundër vendimit me të cilin FIFA anuloi pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, pas kartonit të kuq të marrë kundër Bosnjës. Federata belge i dërgoi FIFA-s një letër të interpretuar si ankesë dhe një anëtar i Komitetit të Apelit të organizmit u ngarkua të shprehet mbi çështjen me urgjencën më të madhe. Pa asnjë rezultat, sepse FIFA e ka rrëzuar kërkesën e belgëve, duke e cilësuar “të papranueshme”. Balogun, pra, do të mund të zbresë rregullisht në fushë kundër Belgjikës. Megjithatë, Federata nuk dorëzohet dhe njofton se në rast se sulmuesi aktivizohet, do të kontestojë vlefshmërinë e tij për të luajtur.
Qëndrimi i ashpër i UEFA-s
Shumë i ashpër ishte edhe reagimi i UEFA-s pas vendimit të FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun: “Vendimi i djeshëm për të pezulluar, për një periudhë prove njëvjeçare, zbatimin e pezullimit automatik prej një ndeshjeje pas kartonit të kuq të marrë nga lojtari Folarin Balogun ka kaluar një kufi të pakalueshëm – thuhet në deklaratë. – Futbolli, si çdo sport tjetër, bazohet mbi rregulla, të cilat janë themeli i një gare të drejtë, të ndershme dhe transparente. Ndonjëherë rregullat janë subjekt interpretimi. Në këtë rast jo. Një pezullim minimal automatik prej një ndeshjeje pas një kartoni të kuq nuk është një kompetencë diskrecionale dhe nuk kërkon vendimin e një organi kompetent për të hyrë në fuqi. Është një parim i sanksionuar në rregullore, që nuk mund të jetë objekt përjashtimesh, aq më pak në mes të një turneu ku lojtarë të tjerë janë gjendur në të njëjtën situatë dhe e kanë vuajtur normalisht pezullimin.”
Sipas UEFA-s, “kur siguria e zbatimit të rregullave nuk garantohet më nga vetë mbrojtësit e tyre, integriteti i lojës vihet në rrezik dhe besueshmëria e garës dëmtohet. Në të njëjtën mënyrë, një vendim i tillë krijon precedent në turneun në zhvillim, ku situata të ngjashme do të kërkojnë tani trajtim të barabartë, në dëm të vetë garës. Futbolli është sporti më i dashur në botë sepse është një lojë e bukur dhe gëzon besimin e njerëzve sepse luhet kudo me të njëjtat rregulla. Një turne nuk është kurrë një ngjarje e izoluar dhe, nëse bëhet fjalë për Kupën e Botës, ai ka fuqinë të prodhojë pasoja pozitive ose negative për të gjithë panoramën e futbollit. Shprehim mosbesimin tonë përballë një vendimi kaq të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm.”
Klopp: “Infantino dhe Trump nuk dinë asgjë për futbollin”
Shumë të forta ishin edhe fjalët e Jurgen Klopp, trajnerit të ardhshëm të Gjermanisë. Sulmi i tij iu drejtua presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino: “Këta dy personazhe nuk dinë asgjë për futbollin dhe nuk duhet të kenë asnjë lidhje me këtë sport. Ky është sporti ynë, jo i tyre”, deklaroi ai gjatë një ndërhyrjeje për televizionin gjerman Magenta, ku është opinionist gjatë Botërorit.
“Nëse është e vërtetë që Trump dhe Infantino kanë folur për këtë çështje, atëherë jemi në çmenduri. Të gjithë marrim vendime të gabuara, por mësojmë t’i pranojmë ato. Në të kaluarën janë dhënë shumë kartonë të kuq qesharakë, dukshëm të gabuar për të gjithë. Por, pavarësisht kësaj, ato mbetën kartonë të kuq, sepse vendimi ishte marrë. Ai i Balogun është një karton i kuq i drejtë, sepse kështu e thonë rregullat”, theksoi Klopp.