Flash

Ancelotti kryqëzohet në Brazil: “Po të ishte brazilian, tani do të kishte telashe. Ne nuk jemi europianë”

Eliminimi i Brazilit nga Botërori 2026 ka shkaktuar polemika dhe kritika shumë të forta ndaj teknikut Carlo Ancelotti.

Lapsi.al 6 July 2026

Eliminimi i Brazilit nga Botërori 2026 ka shkaktuar polemika dhe kritika shumë të forta ndaj teknikut Carlo Ancelotti. Seleção u mposht 2-1 nga Norvegjia, me dopietën e Erling Haaland në dhjetë minutat e fundit, ndërsa penalltia e Neymar në kohën shtesë nuk ndryshoi rezultatin përfundimtar: një humbje që shënoi paraqitjen më të dobët të kombëtares verdheblu në një Botëror që nga viti 1990, kur u eliminua në 1/8-at e finaleve nga Argjentina.

Në qendër të kritikave përfundoi sidomos Carletto, i cili mori drejtimin e Brazilit në maj të vitit 2025, arriti ta kualifikonte skuadrën dhe rinovoi kontratën deri në vitin 2030 pikërisht në prag të Kupës së Botës. Megjithatë, eliminimi i parakohshëm shkaktoi një valë kritikash shumë të ashpra nga mediat dhe tifozët.

Luxemburgo: “Gaboi në formacion, në vendime e në leximin e ndeshjes”

Mes zërave më kritikë është ai i Vanderlei Luxemburgo, i cili në një video të publikuar në rrjetet sociale kundërshtoi hapur mënyrën e menaxhimit të skuadrës dhe veçanërisht atë të Neymar. “Përdorimi i Neymar vetëm në një ndeshje? Ne nuk kemi lojtarë më të mirë se Neymar. Çdo kombëtare në botë do ta mbronte një lojtar si ai. Një trajner e ka detyrim të krijojë një sistem që favorizon lojtarin e tij kryesor, ashtu si bëri Norvegjia me Haaland, duke pritur një ose dy raste. Por këtu në Brazil ai u la mënjanë.”

Referenca lidhej edhe me aktivizimin e vonë të numrit 10 kundër Norvegjisë: Neymar hyri në fushë vetëm në minutën e 67-të, një zgjedhje e kritikuar nga shumë ish-futbollistë dhe komentatorë brazilianë.

Ancelotti, zgjedhjet e kontestuara kundër Norvegjisë

Kritikat ndajteknikut italian u përqendruan kryesisht te disa vendime taktike. Më e diskutuara ishte zgjedhja për t’ia besuar penalltinë e parë Bruno Guimarães, i cili e humbi, edhe pse kishte shumë pak përvojë nga pika e bardhë: shumëkush mendonte se duhej ta gjuante Vinícius Júnior ose një tjetër sulmues.

U kritikua edhe zëvendësimi i Lucas Paquetá, i dëmtuar, me Gabriel Martinelli në mesfushë, një lëvizje që sipas shumicës së analistëve i hoqi skuadrës kreativitetin dhe ekuilibrin. Shumë media braziliane e përshkruan Brazilin si një skuadër pasive, të ngadaltë dhe pa identitet. Sipas kritikëve, Ancelotti ia dorëzoi kontrollin e lojës Norvegjisë, duke u mbështetur kryesisht te kundërsulmet, pa arritur të ndërtojë një sistem ofensiv të dallueshëm dhe pa gjetur zgjidhje për të ndalur Haaland në fund.

Revista javore Veja e përmblodhi pakënaqësinë me një titull shumë të ashpër: “Lamtumirë, Ancelotti. Obrigado por nada”, duke e akuzuar trajnerin se nuk e kishte vlerësuar siç duhet një skuadër plot talent.

Goditja e Luxemburgo: “Po të ishte brazilian, do kërkohej dorëheqja e tij”

Në mesazhin e tij, ish-trajneri i kombëtares shkoi përtej analizës teknike, duke argumentuar se një trajner brazilian do të ishte trajtuar shumë më ashpër: “Ancelotti bëri gabime. Gaboi në formacion, në vendime dhe në leximin e ndeshjes; dhe kështu humbëm mundësinë për të fituar yllin e gjashtë. Po të ishte një trajner brazilian, shtypi do të kërkonte tashmë dorëheqjen e tij, do të transmetonte emisione speciale dhe do ta shpallte projektin një dështim. Ndërsa me një të huaj duket se gjithmonë gjendet një justifikim, një dëshirë për të mbyllur njërin sy dhe një nivel durimi që nuk e kanë treguar kurrë ndaj nesh.”

Luxemburgo bëri thirrje për një rikthim te identiteti brazilian i futbollit: “Mjaft me këtë sindromë që na bën të mendojmë se gjithçka që vjen nga jashtë është më e mirë. Futbolli brazilian ka nevojë për më shumë Brazil. Më shumë identitet, më shumë besim te aftësitë tona dhe më shumë respekt për profesionistët tanë dhe për thelbin e futbollit brazilian. Le të flasin ata për Premier League, Champions League apo çfarë të duan. Për mua, futbolli mbetet sinonim i fanellës ikonike, tribunave shumëngjyrëshe, shakave dhe legjendave, rrugëve të pikturuara, fëmijëve që shohin kombëtaren e tyre të bëhet kampione për herë të parë dhe, mbi të gjitha, pasionit që vetëm brazilianët e kuptojnë vërtet.”

Fjalët absurde të Ancelottit dhe kritikat e tifozëve

Pavarësisht stuhisë së kritikave, Ancelotti mbrojti punën e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes: “Zhvilluam një Botëror të mirë, jo spektakolar, por të mirë. Sot e meritonim fitoren. Kjo humbje nuk është fundi, por fillimi i një cikli të ri.” Kështu CBF konfirmoi besimin te trajneri, ndërsa presidenti Rodrigo Caetano ritheksoi se kontrata e Ancelottit mbetet në fuqi deri në vitin 2030. Ndërkohë, në rrjetet sociale braziliane shpërthyen hashtagët “Fora Ancelotti” dhe “culpa do Ancelotti”, me kritika të drejtuara sidomos ndaj zëvendësimeve, menaxhimit të Neymar dhe penalltisë së besuar Bruno Guimarães. Një pjesë e tifozëve vazhdon ta mbrojë trajnerin, por narrativa dominuese mbetet ajo e një zhgënjimi të madh për një Botëror nga i cili Brazili shpresonte të fitonte yllin e gjashtë.

Protestës iu bashkua edhe Romário, i cili e komentoi eliminimin me fjalë shumë të ashpra: “Ishte e pabesueshme… ky nuk është Brazili që njohim. Faji është i të gjithëve, i lojtarëve dhe i trajnerit njësoj.” Pak fjalë, por mesazhi ishte shumë i qartë.

 

 

Të këshilluara

ide

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

93.85

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI