
Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të enjte kërkesën e Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një masë më të butë, si "arrest në shtëpi" apo “detyrim për paraqitje”. Vendimi lë në fuqi qëndrimin e mëparshëm të Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila kishte vendosur vazhdimin e paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës.
Kjo ishte vetëm një nga kërkesat e Veliajt që kërkon lirimin nga burgu. Shqyrtimi i saj mori vëmëndje pasi vjen në një moment kur vetë jurisprudenca për masat e sigurisë kishte ndryshuar ndjeshëm përmes një vendimi unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Pikërisht ky ndryshim kishte ringjallur shpresat në kampin socialist se Veliaj mund të siguronte një dalje nga qelia dhe ndoshta edhe një rikthim politik në Bashkinë e Tiranës.
Por, të paktën për momentin, dera mbeti e mbyllur.
Por shpresat e Veliajt për të dalë nga burgu tani janë varur tek një ankimim tjetër. Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ktheu për shqyrtim në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të Erion Veliaj për masën e arrestit që nuk është shqyrtuar ende.
Dhe këtu ndikon filozofia e re për paraburgimin që po tentojnë të aplikojnë gjykatat.
Për vite me radhë, paraburgimi është përdorur pothuajse si një mekanizëm standard për çështjet e rënda penale, veçanërisht ato me profil të lartë politik apo publik. Praktika e deritanishme lejonte që gjykatat të mjaftoheshin me argumentin se masa e burgut ishte “e përshtatshme” për rastin konkret, pa analizuar seriozisht nëse objektivat proceduralë mund të arriheshin edhe përmes masave më të buta.
Ky interpretim buronte nga një vendim unifikues i vitit 2011, që tashmë konsiderohet i tejkaluar nga Gjykata e Lartë.

Sipas interpretimit të ri, “arresti në burg” nuk duhet të jetë më rregulli, por përjashtimi.
Prokuroria dhe gjykata duhet të provojnë konkretisht pse një person nuk mund të hetohet apo gjykohet në liri ose nën masa alternative sigurie. Nuk mjafton më rëndësia e akuzës apo ekspozimi publik i çështjes.
Gjykata duhet të japë një arsyetim të individualizuar për çdo rast, duke analizuar jo vetëm rrezikun e largimit apo të ndikimit mbi hetimin, por edhe elementë që lidhen me vetë personin: sjelljen, personalitetin, rrethanat familjare dhe sociale, si dhe proporcionalitetin e masës së sigurimit.
Pikërisht mbi vendimin unifikues të vitit 2011 ishte mbështetur në dy raste arsyetimi i gjyqtarit Engert Pëllumbi në mars të vitit 2025, kur ai vendosi të linte Veliajn në burg.
Në vendimin e tij, Pëllumbi argumentonte se “ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet”.

Sipas gjyqtarit, mundësitë financiare të Veliajt, lëvizjet e shumta jashtë vendit dhe fakti që ai përballet me akuza që mund të sjellin dënim të rëndë penal “e çon gjykatën në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta”. “Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti se personi nën hetim është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur”, shkruante Pëllumbi, duke iu referuar interpretimit unifikues të vitit 2011, sipas të cilit “rreziku i largimit, krahas elementëve të tjerë, mund të lidhet e të rezultojë edhe nga vetë natyra e akuzave në ngarkim të të gjykuarit, nga rëndësia e faktit, sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj.”
I njëjti interpretim përdorej edhe për të argumentuar rrezikun e recidivizmit. Lidhur me akuzën për pastrim të produkteve të veprës penale të korrupsionit, gjyqtari arsyetonte se “është evidente që personi nën hetim do të përpiqet të fshehë origjinën e vërtetë të shumave të parave ose sendeve të luajtshme apo të paluajtshme që burojnë nga veprimtaria e tij korruptive”.

Por me klimën e re juridike, Veliaj kërkoi rivlerësim të masës së sigurisë, në një përpjekje për të përfituar nga standardet e reja të Gjykatës së Lartë.
Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi që rishqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Lartë të bëhej duke kërkuar një arsyetim më të detajuar mbi proporcionalitetin e masës së sigurimit në raport me funksionin e Veliajt si kryebashkiak dhe ndikimin që paraburgimi ka mbi të drejtat e tij kushtetuese si i zgjedhur.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, në një çështje që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.Sipas SPAK, çifti ka përfituar rreth 1 milion euro përmes një skeme korruptive, para që dyshohet se janë përdorur për stil jetese luksoz dhe blerje online. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe ka nisur një betejë ligjore edhe kundër prokurorit të çështjes, Ols Dado.
Në kërkesat e tij, Veliaj pretendon se hetimet janë kryer në shkelje të ligjit, se SPAK ka tejkaluar afatet procedurale dhe se kallëzimi fillestar ishte bërë nga një person anonim, “Nesti Angoni”, pa u kryer verifikime për identifikimin e tij.
Por vendimi i së enjtes tregon se, megjithëse Gjykata e Lartë ka ndryshuar filozofinë mbi paraburgimin, kjo nuk do të thotë automatikisht se figurat politike të hetuara do të fitojnë lirinë. Të paktën për momentin, sistemi duket se ka pranuar të ndryshojë teorinë, por jo ende refleksin./Lapsi.al