
Një nga tiparet më të njohura të politikanëve që udhëheqin nëpërmjet frikës është përpjekja për të kontrolluar jo vetëm të tashmen, por edhe të shkuarën. Për interesa të momentit apo për të vënë në paqe psikozat e tyre, mendojnë se mund ta ndryshojnë të kaluarën me të njëjtën lehtësi që retushohet një foto, montohet një video apo sikur të ishin duke korrigjuar një tekst në libër.
Kjo simptomë e vjetër që shoqëron rregullisht politikanët shqiptarë, sapo rrinë pak kohë në pushtet, u shfaq edhe në 35 vjetorin e Partisë Socialiste në Durrës, në një material që u transmetua në rrjetet sociale të kryeministrit Edi Rama këtë të hënë.
Në një aktivitet që zgjat rreth 1 orë e gjysëm dhe që sjell një rikthim në historinë e Partisë Socialiste të Durrësit, për çudi nuk gjen asnjë sekondë, asnjë gjurmë, asnjë shenjë të Vangjush Dakos, një emër vërtet i njollosur, por emblematik i degës së socialistë të këtij qyteti.

Vangjush Dako është kryebashkiaku më jetëgjatë i Bashkisë së Durrësit, me një kontribut të pakrahasueshëm në fitoret e Partisë Socialiste. Ai hyri në politikë, ne vitin 2007 dhe karrierën e nisi duke fituar zgjedhjet për bashkinë e qytetit, kundrejt kandidatit të mazhorancës së atëhershme Armand Teliti me një diferencë prej vetëm 308 votash.
Në vitin 2011, Dako arriti të fitojë zgjedhjet përballë kandidatit tjetër të mazhorancës së kohës në Durrës, Ferdinand Xhaferraj me gati 3600 vota diferencë. Dako u bë figurë e rëndësishme për socialistët në zgjedhjet e vitit 2013. Në Qarkun Durrës, ku përfshihen edhe bashkitë Shijak dhe Krujë, socialistët fituan 44% të votave, pasi kishin fituar vetëm 39% më 2009.
Dhe më 2017, ata arritën të fitojnë 51% të votave. Durrësi u bë në këtë mënyrë qarku që ndikoi shumë në fitoret e socialistëve më 2013 e 2017 dhe aktori kyç i këtij "suksesi" ishte pikërisht Vangjush Dako.

Dako iu fut politikës fillimisht si biznesmen, por duke punuar me dhe për Edi Ramën bashkëpunoi me disa nga emrat më të rrezikshëm të krimit në Shqipëri.
Në vitin 2018, një hetim i autoriteteve gjermane mbi një organizatë të trafikut të drogës zbuloi jo vetëm rrjetin kriminal në Shqipëri, por edhe lidhjet e Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve të Shijakut. Përgjimet që u regjistruan në dosjen 339 treguan se grupet kriminale jo vetëm merreshin me trafik droge, por përdoreshin edhe në proceset zgjedhore nga kryebashkiaku Vangjush Dako.
Në një nga bisedat, Astrit Avdylaj dëgjohet duke thënë se do t’i propozojë Edi Ramës një kandidat për deputet, duke premtuar në këmbim një rezultat surprizues për socialistët në Shijak. Po ashtu, Vangjush Dako u përfshi edhe në lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, një personazh i arrestuar dhe i gjykuar për disa vrasje.
Në vitin 2019, Dako nuk u rikandidua më për bashkinë dhe më pas u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion madhor.
Dosja e përgjimeve "339" ekspozoi gjithashtu mënyrën se si funksiononte "makineria elektorale e socialistëve, nëpërmjet ndihmës së ndërsjellë me banditët më të rrezikshëm të vendit. Edhe pse pa funksion zyrtar, Dako vijoi të akuzohej nga opozita se kontrollonte politikisht Durrësin nga prapaskena, akuzë që ai e ka mohuar vazhdimisht.
Dako arrestua dhe bëri disa muaj burg për nje tender me vlerë disa miliona lekë, por ai la pas një vend bosh për kontaktet e pushtetit politik me atë kriminal. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj do të tregonte më vonë se këtë pozicion të "koordinatorit të krimit" e zuri një durrsak tjetër, Ergys Agasi.

"Durrësi është shëmbëlltyra e një transformimi të madh që ka në themel transformimin e PS, nga një forcë e krijuar nga një grup njerëzish kurajozë në një atmosferë negative ndaj tyre dhe Partisë Socialiste, në një forcë që me përkushtim u rrit dhe u kthye në një forcë jo vetëm fituese, por edhe dominuese në Durrës, Shijak, Krujë dhe të gjithë qarkun" u shpreh Rama në takimin e 35-vjetorit të ditëlindjes, duke u folur mijëra socialistëve që e dëgjonin.
Një vend të veçantë në takim kishte një socialist tjetër, që për disa vite është lënë në harresë. Ky është Bardhyl Agasi, babai i Ergys Agasit që u ngjit në tribunë si kryetari i parë i Partisë Socialiste të Durrësit dhe të cilit iu rezervua një vend special në aktivitet.
Agasi falenderoi disa herë kryeministrin Edi Rama, të cilit i kërkoi të shkruhej historia e Partisë Socialiste në një libër, që do të kujtonte sakrificat e socialistëve të thjeshtë, duke dokumentuar betejat e viteve të para të pluralizmit.

“Vërtet ka qenë një heroizëm në atë kohë kur është krijuar Partia Socialiste edhe në Durrës. Mund të them që ishte një terror i vërtetë. Ishte trimëri, heroizëm të pranoje të ishe anëtar i Partisë Socialiste dhe nga viti në vit, nga çdo zgjedhje, Partia Socialiste e rriti ndjeshëm forcën e saj. Mjafton vetëm një fakt, me humbjen që patëm në ’92-shin ishte sepse ne nuk kishim as komisioner në qendrat e votimit, kaq presion i madh ishte. Vinin mjekët dhe një doktor i nderuar si Anastas Qerimi me lot në sy se ishte rrahur me komisione, sa e sa të tjerë. Kurse pastaj kjo forcë në Durrës arriti rezultate që i përmendin edhe të tjerë, që ne sot kemi që nga 2000 që nuk e lëshojmë fitoren e Partisë Socialiste dhe nuk kemi ndërmend ta lëshojmë” u shpreh Agasi.
Socialistët kanë nisur të lëvizin në një fazë "stërvitore" për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe Rama është duke vlerësuar situatën dhe personazhet që do të kenë influencë në fushatën e ardhshme. Për Durrësit sinjalet janë se do të ketë vazhdimësi nga zgjedhjet e kaluara, ndërsa mënjanimi i Vangjush Dakos është veçse dëm kolateral.
Zhdukja e tij nga "historia" që vizaton Rama është thjesht një taktikë elektorale. Vetëm se ajo ka një problem: historia nuk shkruhet aq shpejt sa montohen videot propagandistike të rrjeteve sociale që ndryshojnë nga një palë zgjedhje në tjetrën.
Vërtet mund të presësh një pamje sot nga montazhi, mund të zhdukësh një figurë nga ekrani, mund të sillesh sikur një dosje apo përgjimet nuk ka ekzistuar kurrë. Por nuk mund ta fshish faktin se Partia Socialiste në Durrës me ose pa Vangjush Dakon ka flirtuar dhe vazhdon të flirtojë me elementë kriminalë, të cilët diktojnë edhe mënyrën se si shkruhet historia e kësaj force politike./Lapsi.al
