
Miratimi me kushte të forta i raportit IBAR, që hap rrugë në të ardhmen për mbylljen e kapitujve të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, nxiti diskutime të mëdha me PRO dhe KUNDER në vend. Por një rrugë më e mirë për të kuptuar se ku ndodhemi në këtë proces është një krahasim me një vend tjetër kandidat, Malin e Zi, që ndodhet pak më para nesh në rrugën drejt Brukselit.
Fakti është se Podgorica e ka kaluar këtë fazë dy vite para nesh duke e miratuar raportin IBAR në qershor 2024.
Por, nëse malazezëve nuk iu deshën as dy javë për të marrë konsensusin e vendeve anëtare, për Shqipërinë procesi zgjati nga fillimi i shkurtit e deri më tani në fund të majit. Pyetja që Lapsi.al i shtroi disa ekspertëve shqiptarë në çështjet e integrimit dhe një diplomati të huaj në Bruksel, tentoi të shpjegonte këtë ndryshim: përse malazezët e kaluan pa andrralla këtë proces ndërsa për ne pati shumë ngërç?
“Ka një ndryshim të madh”, tha për Lapsi.al një burim që kërkoi të mbetet anonim. “Për Malin e Zi, BE-ja u mjaftua vetëm me kontrollin për kryerjen e reformave, kryesisht për kapitujt 23-24, që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Ndërsa për Shqipërinë sfida është tjetër. Për të nuk shikohet vetëm miratimi i reformave në letër, por nëse institucionet e reformuara i rrezistojnë testit të presionit politik”, tha ai duke shtuar: “Për Shqipërinë dominon narrativa e testimit të shtetit ligjor”.
Kjo duket qartë po të lexosh me vëmendje raportin e sapo miratuar për ne ku shqetësimi kryesor është dukshëm tentativa për mosndërhyrje politike në punën e SPAK-ut, ndalimi i gjuhës linçuese të zyrtarëve të lartë kundër tij dhe sidomos mospengimi i drejtësisë për arrestimin e zyrtarëve të lartë.
Nëse për Podgoricën qe e mjaftueshme që miratoi ligje për konfiskimin e pasurive të vëna përmes korrupsionit dhe krimit, Tiranës i kërkohen rrezultate konkrete kundër eksponentëve të përfshirë në këto krime. “BE-ja nuk pyet më a keni një ligj të mirë kundër korrupsionit, por: a po i arrestoni zyrtarët e korruptuar”, tha ai.
Ndonëse Mali i Zi i ka hapur negociatat që në 2012, ndërsa ne shumë më vonë, një rol në diferencën mes dy vendeve ka luajtur edhe “Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së e miratuar në vitin 2020”.
Pas aprovimit të saj, kriteret politike dhe sundimi i ligjit kanë prevaluar mbi aspektin ekonomik. Procesi më parë ka qenë më teknik, hapej një kapitull, shqyrtohej dhe mbyllej. Ndërsa sot është ndryshe, çështje si drejtësia, korrupsioni, funksionimi demokratik janë themelore. Sot nuk mund të kesh më progres teknik nëse regjistrohen probleme serioze politike. “Nëse ngec tek kriteret e shtetit ligjor, procesi nuk është më i pakthyeshëm. BE, mund të ngrijë ose kthejë mbrapsh negociatat nëse vihet re regres demokratik. Kjo qe arsya që këto kritere u diskutuan gjatë për Shqipërinë dhe u transferuan për më vonë, në raportin e IBAR”, tha një diplomat europian në Bruksel, për Lapsi.al.
Një tjetër veçori e Metodologjisë së re është edhe një peshë më e madhe që kanë marrë vendet anëtare në krahasim me zyrtarët e Brukselit. Kështu vende si Gjermania dhe Holanda i japin të drejtë vetes të kërkojnë më shumë llogari, të futen në detaje, ashtu sikurse bënë me rastin e mosheqjes së imunitetit të Belinda Ballukut dhe pengimit të drejtësië për të vepruar. Jo më kot Edi Rama thoshte se: “Ne për Komisionin Evropian e kemi kaluar klasën”, duke lënë të kuptohet se Shqipëria i kishte plotësuar detyrat dhe këtej e tutje problemi qe mes komisionit dhe përfaqësuesve të 27 vendeve. “Formalisht kjo është e vërtetë por kryeministri juaj duhet ta dijë se shtetet anëtarë, sidomos ato me peshë kanë fituar të drejtën ta vështirësojën procesin nëse vënë re se nuk ka rezultatate konkrete në drejtësi dhe nëse ka elemente të kapjes së shtetit”, tha diplomati evropian.
Edhe po të bësh një lexim krahasues ndërmjet teksteve të raporteve IBAR gjuha e përdorur për Malin e zi dhe për Shqipërinë ka diferenca të dukshme. Për të parët ajo BE-ja në 2024 përdorte terma diplomatikë, inkurajuesë dhe kryesisht teknokratikë. Ajo dukej sikur kërkonte të shpërblente progresin teknik; ti dërgonte sinjal pozitiv rajonit; të demonstronte se procesi i zgjerimit funksionon. Ajo nuk demostronte ton alarmi politik.
Edhe kur përmendeshin dobësi, gjuha ishte relativisht neutrale, çka tregon se: BE e konsideronte sistemin politik malazez relativisht të parashikueshëm edhe pse jo domosdoshmërisht perfekt.
Ndërsa narrativa aktuale për Shqipërinë është me tone të theksuara politike. Motoja: “Reformat janë reale dhe progresi është i dukshëm, por testi është nëse shteti shqiptar mund të mbrojë institucionet e reformës gjendet kudo”, tha një ekspert i kontaktuar nga Lapsi.al. “Nëse e përmbledhim me një fjalë atë që është thënë për Shqipërinë ajo është: Potencial i lartë, risk i lartë. Kjo tregon se BE admiration ritmin e reformave në letër, por ka shqetësim për konsolidimin demokratik”, konkludoi ai.
Pra, nëse duhet kërkuar një shpjegim, se pse fqinjët tanë u panë me një lupë më zemërgjerë, ndërsa ndaj nesh po tregohet më shumë ashpërsi, kjo vjen nga fakti se BE-ja duket se po i thotë Shqipërisë që reformat teknike nuk mjaftojnë më; që tani po vlerësohet më tepër kultura demokratike; që tani shikohet mbi të gjitha rezistenca ndaj kapjes së institucioneve; që rëndësi ka dhe aftësia e shtetit për të funksionuar mbi interesat partiake.
Lapsi.al

