
Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" ka rënë në qetësi pas 4 ditësh. Mbrëmjen e së premtes protestuesit iu afruan forcave të policisë dhe u dhanë dorën duke deklaruar se nuk ishin ata shënjestra e tyre, por Edi Rama.
Pas disa momentesh "negociatash" u ra dakord që forcat e rendit të tërhiqen nga bulevardi dhe të rinjtë të protestojnë paqësisht.
Një i ri ka theksuar se palët kanë gjetur një mirëkuptim, pa pasur nevojë për garanci të tjera.
“Edhe këta janë shqiptarë”, shprehet ai për punonjësit e policisë, duke shtuar se ata po zbatojnë urdhra të ardhur nga drejtuesit e tyre.
Megjithatë, i riu shprehet se është i zhgënjyer nga protestat paqësore, pasi, sipas tij, ato nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme.
“Unë jam për protestën që bën punë. E dinë të gjithë që ajo që bën punë. U lodhëm me protesta paqësore”, deklaron ai.
Më tej, protestuesi përdor gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “kancerin e Shqipërisë” dhe duke pretenduar se dhuna është e vetmja rrugë që u ka mbetur protestuesve.
“Nuk do ta lëmë të na vënë poshtë, edhe këta janë shqiptarë, kanë marrë urdhër nga kryegjatoshi që është kanceri i Shqipërisë. Vetëm dhuna bën punë këtu, nuk na kanë lënë rrugë tjetër. Policët kanë familje. Duhet të japin dorëheqjen”, tha ai. /LAPSI.al