
Qytetarët e dëmtuar në aksidente rrugore nuk do të penalizohen më me pjesën e zbritshme të dëmit, të njohur si franshizë, ndërsa për aksidentet me dëme të vogla materiale kompanitë e sigurimit do të detyrohen të kryejnë pagesat brenda 14 ditëve kalendarike.
Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik, i hartuar nga Ministria e Financave.
Një nga risitë kryesore lidhet me rritjen e vlerës së dëmeve që trajtohen përmes procedurës së përshpejtuar. Nëse aktualisht kjo procedurë zbatohet për dëme deri në 100 mijë lekë, me ndryshimet e propozuara pragu do të rritet në 250 mijë lekë.
Për këto raste, kompanitë e sigurimit do të kenë detyrimin të kryejnë dëmshpërblimin brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës.
“Detyrimi për pagesën e dëmshpërblimit të kërkesave me vlerë të vogël bëhet brenda 14 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Financave.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e franshizës për palët e dëmtuara. Kjo do të thotë se qytetarëve që kërkojnë kompensim nga sigurimi i detyrueshëm nuk do t’u zbritet më një pjesë e vlerës së dëmit.
“Një risi thelbësore është ndalimi i aplikimit të pjesës së zbritshme ose franshizës ndaj palëve të dëmtuara”, thuhet në projektligjin e Ministrisë Financave.