Bllokimi politik në Kosovë është fare i thjeshtë për t’u kuptuar dhe nuk është aspak krizë, por thjesht cinizëm.
Opozita nuk e voton kryetarin e Kuvendit sepse dëshiron zgjedhje të përgjithshme diku nga fillimi i vitit 2026, pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025. Ata besojnë se zakonisht votuesit dhe struktura e VV angazhohen më pak në zgjedhje lokale se sa në ato nacionale.
Duke mos patur ndonjë risi në program a vizion, duke mos u reformuar e pastruar nga individët e stërpasuruar padrejtësisht, i vetmi mjet anti-VV atyre u mbetet bllokimi. Siç është e kuptueshme, shpresojnë të përsëritet diferenca e rezultatit dhe ta përdorin rezultatin e zgjedhjeve lokale edhe në fushatën e tyre për zgjedhje parlamentare.
Kjo është e dukshme për këdo që di të shohë.
VV ofroi bashkëpunim për zhbllokim, por u refuzua. Nuk ka çka të bëjë më shumë një parti që fiton zgjedhjet, pos të ofrojë bashkëpunim. Cinikët tallen me VV, thonë se Thaçi me gjysmën e votave të VV e krijonte qeverinë. E vërtetë, por VV nuk kontrollon askënd me metoda të paqarta, as me para e as me kërcënime. VV bashkëpunimet i trajton haptazi, para publikut. Mbase prandaj refuzohet.
Nëse opozita do ta mundësonte votimin e kryetarit të Kuvendit, do të zhbllokohej procesi për krijimin e qeverisë.
Albin Kurti do të merrte mandatin për krijimin e qeverisë, e opozita thotë se ai nuk i ka votat.
Nëse Albin Kurti nuk i ka votat, pas dy javësh mandati për krijimin e qeverisë i shkon opozitës. Po të kishin siguri ata në votat e tyre, me siguri situata do të ishte zhbllokuar qëmoti.
Por as opozita nuk i ka votat për qeveri, pos nëse e bëjnë me Listën Serbe siç kanë bërë gjithmonë. Por kësaj radhe ata nuk duan të shkojnë me Listën Serbe para zgjedhjeve lokale e me një VV të madhe në Kuvend.
Kështu që, për shkak të përllogaritjeve opozitare, situata ka zgjidhje vetëm zgjedhjet e reja. E atyre zgjedhjet u konvenojnë vetëm pas zgjedhjeve lokale.
Me cinizëm do ta vazhdojnë këtë teatër duke fajësuar VV dhe kandidaten Albulena Haxhiu.
Por nuk është aq e sofistikuar “strategjia” e tyre cinike. Të gjithë e lexojnë.
Marrë nga Facebook i autorit Arbër Zaimi, i cili është eksponent i Vetëvendosjes dhe shpreh mendimin e kësaj force politike