Flash

Dhjetëra eurodeputetë kërkojnë sanksionimin e Dodikut

Lapsi.al 18 March 2025
Dhjetëra eurodeputetë kërkojnë sanksionimin e Dodikut

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje shefes së Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur sanksione ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Përmes një letre, të nënshkruar nga 28 anëtarë të Parlamentit Evropian, ata i kërkojnë shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ta sanksionojë Dodikun për shkak të veprimeve të tij rishtazi për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Dodiku përbën kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e në këtë mënyrë edhe për sigurinë e Bashkimit Evropian, për shkak të veprimeve të tij gjithnjë e më të theksuara secesioniste dhe lidhjeve të ngushta me Kremlinin”, thuhet në letër.

Ata besojnë se përpjekjet diplomatike për të bindur Dodikun të heqë dorë nga politikat e tij të tanishme kanë dështuar dhe se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Letra është nismë e deputetëve Tineke Strik, Thijs Reuten dhe Irena Joveva, e cila ka marrë përkrahjen e deputetëve të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe pesë grupeve politike.

Ata kanë thënë se veprimet e Dodikut janë në përputhje me interesat e Moskës.

Eurodeputetët besojnë se Dodiku ka ndërmarrë hapa drejt shkëputjes së paligjshme të Republikës Sërpska nga Bosnja në javët e fundit.

Entiteti serb i Bosnjës i mori një sërë veprimesh rishtazi, pasi Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, së bashku me liderë të tjerë të Republikës Sërpska, gjithashtu dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Gjykata e Bosnjës urdhëroi më 14 mars vendosjen e Dodikut kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtar Nenad Stevandiq, në paraburgim 30-ditor.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit.

Prandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.

Më 13 mars, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e miratoi një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnjës.

Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore./REL

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

92.60

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pak ditë pas martesës, humbën jetën në aksident/ Tragjedia e çiftit në Manzë

Aksidenti tragjik në Manzë, ku humbën jetën çifti i sapomartuar Kleo Vrioni e Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri, dyshohet se ndodhi pasi BMW-ja po lëvizte me rreth 114 km/orë, ndërsa drejtuesi rezultoi nën efektin e alkoolit, teksa dy pasagjerët e tjerë mbetën të plagosur, njëri në gjendje të rëndë.

14:37

Me sytë katër

PAPARAZZI