Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi thotë se procesi i rindërtimit pas tërmetit është një nga dështimet e mëdha të Edi Ramës. Sipas Bardhit që ka publikuar edhe një video me deklaratat e Ramës në 1 vit është “shumë premtime, fare pak punë”.
Bardhi thotë se Rama premtoi se deri në dhjetor familjet do të futeshin në shtëpitë e tyre, por për 1 vit, ka ndërtuar vetëm 2.6% të shtëpive. Numri “2” i demokratëve nënvizon se Rama premtoi se në shtator nxënësit do të kishin shkollat e reja dhe qytetarët spitale të reja, por pas një viti, ka ndërtuar vetëm 3% të shkollave të premtuara dhe zero spitale.
“Bilanci 1 vjeçar pas tërmetit i Edi Ramës është zero pallate të reja të ndërtuara. Edi Rama ka arritur vetëm një objektiv me rindërtimin. U ka dhënë klientëve të vet shumicën e fondit për rindërtimit. Vetëm Safet Gjicit i ka dhënë 35 milionë euro me një dorë. Koha e Edi Ramës dhe mashtrimeve të tij ka mbaruar! Është koha të kemi një qeveri që punon për qytetarët!” – shkruan Bardhi. ©LAPSI.al