Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për herë të parë, pasi prej ditësh Partia Demokratike e akuzon Olta Xhaçkën për përdorimin e helikopterëve të Forcave të Armatosura për fushatë. Disa orë pas deklaratës së Albana Vokshit, e cila u shpreh se për një rrugë vajtje-ardhje nga Tirana në Peshkopi, Xhaçka harxhon plot 10 mijë euro, kjo e fundit i ka hedhur poshtë këto akuza.
"Ndoqëm sot me habi dhe indinjatë një deklaratë të znj. Albana Vokshi, e cila përsëriste pa menduar disa akuza të pabaza për përdorimin e helikopterëve të FA për të bërë fushatë elektorale, ngritur nga një individ, i cili pasi dështoi të përfshihet në listat e kandidatëve për deputet të PD, sepse u refuzua me përbuzje nga anëtarësia e kësaj partie ne qarkun e Dibrës, të cilët e njohin shumë mirë atë, karakterin dhe bëmat e tij, tenton tani të fitojë pikë me kryesinë e PD duke sajuar histori ala babale me helikopterë.Akuza si këto, në fakt nuk meritojnë përgjigje, sepse janë inskenime të ulëta dhe përpjekje për të hedhur baltë e për të nxirë punën e mirë që është bërë në FA në këto vite. Por, në respekt të qytetarëve, duam të sqarojmë që në asnjë rast, as Ministri dhe asnjë zyrtar i lartë civil apo ushtarak i Dikasterit të Mbrojtjes, nuk ka përdorur për qëllime politike, elektorale apo personale, asnjë mjet të FA, e jo më pastaj helikopterët" thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Xhacka kujton edhe kohën kur helikopterët përdoreshin për videoklipe këngëtarësh në reagimin e ministrisë.
"Jemi të keqardhur, që Partia Demokratike ka kthyer sot në kauzë të vetën, akuzat e pabaza e me motive politike, të një ish-ushtaraku të diskretituar, në kohën e të cilit vërtet mjetet e FA përdoreshin për qëllime personale e elektorale, nga kërkimi për thesare e deri tek video-klipet e këngëtarëve me helikopterët e ushtrisë. Për të mos folur pastaj, për skandalin e ëikileaks, ku po ky zotëri, raportohej nga aleatët strategjikë të Shqipërisë se kërkonte 7.000 euro ryshfet nga djemtë e vajzat në uniformë që kërkonin të merrnin pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan" thuhet në deklaratë.
Sot paradite në një deklaratë për mediat, Vokshi përsëriti akuzat e ngritura më parë nga Xhemal Gjunkshi për përdorimin e helikopterëve nga Xhaçka.