Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e sotme plenare, ku pritet të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, se do të mbajnë përgjegjësi, nëse ngrenë dorën për t’i votuar ato.
Ai u shpreh se do të ketë një faturë të madhe historike dhe individuale për të gjithë deputetët që i votojnë këto ndryshime.
“Vendi ynë duhet të ishte sot në BE, por ka humbur shumë kohë. Për fat të keq ne jemi vonuar. Shpresoj që sot të merret një vendim i drejtë, të respektohet marrëveshja e 5 qershorit. Cdo prekje e njëanshme e marrëveshjes historike të 5 qershorit do të jetë një faturë shumë e madhe historike dhe personale për të gjithë ata që do të ngrenë dorën kundër integrimit evropian të Shqipërisë, pasi i kemi paralajmëruar në mënyrë të qartë dhe të vazhdueshme.
Vetëm duke respektuar marrëveshjen, duke bërë zgjedhje të lira e demokratike, ne çelim negociatat, por edhe japim shembull për cdo vend tjetër. Maqedonia e Veriut na ka dhënë një shembull të shkëlqyer se si kapërcehen problemet e brendshme dhe si zgjidhen krizat. Të mos harrojë asnjë deputet se përgjegjësia e tij do të jetë individuale, nëse ngre dorën kundër të ardhmes evropiane”, deklaroi Meta.