Jetnor Shima, drejtor i fasonerisë “Endi sh.p.k” në Krujë thotë se biznesi i tij nuk është vatër e koronavirusit. Në një intervistë me emisionin “Open” në TCH, ai shpjegoi kur e mësoi që kishte të infektuar në biznes.
“Një zonjë, punonjëse e fasonerisë sonë, kishte një muaj që nuk vinte në punë. Pastaj ISHP-ja e Krujës na njoftoi që ajo është me Covid. Ne u mbyllëm nga data 13 deri më 15 mars. Pastaj, me datë 16 mars kemi filluar punë me staf të reduktuar. Kemi pajisur të gjithë punonjësit me maska dhe alkool. Me 15 prill na erdhi informacioni që kjo ka ndodhur dhe ne e mbyllëm vullnetarisht masonerinë” – tha Shima.
Ai tha se ishte testuar në një klinikë private, por ky detaj nuk i ka shpëtuar moderatores Eni Vasili, e cila ka theksuar se një gjë e tillë është e ndaluar në vend.
“Unë kam dalë 100% negativ, e kam bërë tamponin në spital privat. Situata dihet. Rëndësi ka shëndeti i punonjësve tanë. Ne jemi mbyllur vetë, jo me urdhër nga MSH. Për të qenë të sigurt. Ne nuk jemi vatër. S’kam informacion zyrtar për numrin e të testuarve,” - tha ai.
Zv.ministrja Rakacolli tha se kjo nuk është e lejuar dhe duhet hetuar për rastin. Por pas ndërhyrjes së zv.ministres Shima e ndryshoi disi dëshminë, pasi tha “kam bërë analiza të përgjithshme dhe për tampon”.
Sipas një urdhri të lëshuar nga Ministrja e Shëndetësisë, ISHP është i vetmi institucion ku mund të bëhet testimi për koronavirusit. Të gjithë klinikat e tjera private janë paralajmëruar për pasojë nëse kryejnë teste të tilla. Shima u pyet edhe për numrin e testimeve të bëra në fasonerinë që ai drejton, por nuk tha se nuk e ka një përgjigje të tillë pasi nuk i jepet nga ISHP-ja. ©LAPSI.al