Pas përfundimit të procesit të përgjimit të vëllait të ish ministrit Fatmir Xhafa nga Babalja dhe shpalljes së vendimit nga gjykata që i etiketonte si fajtorë denoncuesit e tij, gazetari Alfred Lela
ka bërë një shkrim ku i ka kërkuar të falur ish ministrit, për akuzat në të shkuarën. "Kur ke marrë pjesë në aktin e turpërimit publik të dikujt, sidomos mbi akuza të rrejshme, më e pakta është të kërkosh ndjesë" ka shkruar lela në faqen e tij Politiko.al. Ai e ka arsyetuar këtë ndjesë publike duke thënë: "Sa më takon, kam qenë një prej atyre që, në shkelje të kodeve të gazetarisë, në shkelje të prezumimit të pafajësisë, në shkelje po deshe edhe të urdhëresave fetare, e kam interpretuar si fakt një të pavërtetë për z. Xhafaj. Mbrojtja pas lirisë së shprehjes dhe ‘opinionit’
është një membranë e dobët që nuk e shmang turpërimin. Kur ke marrë pjesë në aktin e turpërimit publik të dikujt, sidomos mbi akuza të rrejshme, më e pakta është të kërkosh ndjesë".
Ndonëse Lela e vetëpranon se ka marrë pjesë në linçimin publik të Xhafajt në të djeshmen atë sot nuk e shqetësojnë fare dilemat e mbetura nga kjo dosje: si përse Rama gënjeu që tha se kishte provën e një laboratori ndërkombëtar, pse policia u kap në përgjime duke manipuluar një dëshmitar si Alizoti, apo pse pasi gënjyen, përpara prokurorit, shefat e policisë së Fierit u ngritën në detyrë?
Lexo më tej:
Dosja Babale/ Pyetjet pa përgjigje në intervistën e Fatmir Xhafës
Lela është një nga gazetarët që është njohur për qëndrimet e veta pro opozitës. Madje kur Henri Çili e shkarkoi si drejtor të mediave Mapo, PD e mori në mbrojtje duke e konsideruar këtë akt si shkelje të lirisë së shtypit në favor të Edi Ramës. Por e njëjta opozitë e ka akuzuar Lelën shtatorin e shkuar si të shitur tek pushteti. në këtë kohë gazeta RD shkroi: 'Alfred Lela i është shtuar “listës së 30 asprave” të Edi Ramës, listë në të cilën bëjnë pjesë gazetarët që të verbuar nga joshja e parave, njësoj si Juda Iskarioti, tradhëtojnë besimin dhe misionin e tyre. Në “listën e 30 asprave”, Alfred Lela nuk është as i pari dhe as i fundit gazetar që preferon pasurinë e lehtë përpara rrugës së mundimshme të vërtetës. Por, ndryshe nga shumica e kolegëve të tij mercenarë, Alfred Lela, është në një pozicion jo aq të preferuar, tani për tani'.
©Lapsi.al