90 minutat e Niko Dovanës nuk do të mbarojnë aty. Shumë polemika, vendime të kontestuara, pesë kartonë të kuq, një gol i anulluar, pretendim për penallti nga Partizani, akordim i 11 metërshit për Teutën, që me finalizimin e Kallakut i dha debutimin fitues Edi Martinit, duke futur në krizë të kuqtë. Ndodhën shumë gjëra për tu mbyllur në fërshëllimën e trefishtë të Ferhatit, që u mundua të mbante nën kontroll një ndeshje delicate, por që e mbylli me 9 lojtarë për Teutën, 10 për Partizanin dhe dy pankinarë më pak, një për secilën skuadër të përjashtuar.
Ajo që ishte një ndeshje e luftuar, nisi të bëhej e tensionuar në të 33’ kur rrëzimi i Cinarit, në kontrast me Beqjan, nuk u vlerësua penallti, duke nervozuar të kuqtë, që shpresonin të hapnin një ndeshje të bllokuar. Atë që nuk i dha Partizanit, Ferhati e gjeti në ndërhyrjen e Telushit ndaj Beqjas, vendim që nuk u aprovua nga të kuqtë, portestat e të cilëve nuk ndaluan dot Kallakun të paraqitet në pikën e bardhë e ti cojë bregdetarët në avantazh të pamenduar në dhomat e zhveshjes.
Nervozimi mori vendin e logjikës në të 62′ kur Ferhati humbi numërimin e kartonëve të kuq, pas sherrit të nisur nga Beqja dhe Melo, të dy jashtë, bashkë me dy lojtarët e pankinës Boldor e Duka. Me 9 lojtarë në fushë Teuta, pas kartonit të dytë të verdhë të Shkallës, në 5 minutat e fundit të lojës, shumë pak ndoshta për të përmbysur një ndeshje, sidomos kur kundër dalin edhe centimetrat, që e nxorrën Braun në pozicion jashtë loje, duke anulluar golin, që do të vlente shumë në këtë rast jo për renditjen, por për moralin.
Humbja e tretë radhazi për kryeqytetasit, pikërisht rezultati që kërkonte të shmangte Kalari, në ethet e pankinës së parë në Superiore, ndërsa Martini e nis me suskes detyrën në Durrës, të ndërprerë 8 vjet më parë në aventurën e fundit në Niko Dovana.