Flash

Pas takimit me Mitsotakis, Rama ndryshon grupin negociator për "Marrëveshjen e Detit" (VENDIMI)

Lapsi.al 31 October 2019
Pas takimit me Mitsotakis, Rama ndryshon grupin negociator për

Pas takimit që zhvilloi dy ditë më parë me homologun grek në Athinë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar grupin negociator për "Marrëveshjen e Detit", të ngritur që në kohën kur në krye të diplomacisë shqiptare shërbente ish-ministri, Ditmir Bushati.

Përmes një "Vendimi të Këshillit të Ministrave" (VKM), qeveria ka reduktuar grupin negociator nga 13 në 7 anëtarë.

Komisioni tashmë përbëhet nga 7 zëvendësministra dhe në cilësinë e kryetarit do të vendoset njëri prej zëvendësministrave për Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj ose Sokol Dedja.

Po kështu, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe do të raportojë periodikisht tek kryeministri Rama për veprimtarinë e Komisionit.

VKM-ja: 

“Vendim për përbërjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për administrimin e ujërave ndërkufitare

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;

b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;

c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;

ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Lidhur me "Marrëveshjen e Detit", të përmendur së fundmi nga Mitsotakis si një kusht për vijimin e përkrahjes së Greqisë në integrimin e Shqipërisë në BE, në një intervistë të dhënë për “Euronews Greece” Rama tha se me qeverinë e mëparshme janë bërë përparime, ndërsa shprehu gjithashtu shpresë për arritje e një konsensusi me ekzekutivin e ri.

Tanimë numërohen 9 vjet nga bllokimi i marrëveshjes së qeverisë Berisha me Greqinë, pasi me vendim unanim të Gjykatës Kushtetuese, më 26 janar 2010, u shpall në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. ©Lapsi.al

 

Të këshilluara

Pak minuta shi dhe Vlora përmbytet sërish

Vlora është përmbytur sërish. Mjaftojnë vetëm disa minuta shi dhe rrugët e qytetit bregdetar mbushen me ujë. Reshjet e rëna me intensitet gjatë orëve të mbrëmje...

21:07

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI