Pas hulumtimeve të çastit që ndoqën ngjarjen, janë zbuluar disa detaje lidhur me gjyqtaren Arjana Liço, që përdorte mjetin të cilit iu vu flaka mbrëmjen e djeshme në rrugën “Vasil Shanto” në kryeqytet në pronësi të të birit, avokatit Loren Liço.
Nga një kërkim në “Google”, rezulton se Lico nuk është një figurë tërësisht e panjohur për publikun. Duhet të jenë të shumtë ata që kujtojnë një histori prekëse nga viti 2004, kur gjyqtarja bëri një gjest fisnik, i cili pati impakt të menjëhershëm në opinionin publik. Liço autorizoi dhurimin e zemrës së të birit, Erjon Liço, i cili u lëndua në mënyrë të parikuperueshme nga një aksident me motor më 1 gusht të 2004-s.
Liço, përmes këtij vendimi shpëtoi jetën e një personi në nevojë, që i është përjetësisht mirënjohës.
Makina që përdorej nga Liço, por që ishte në pronësi të të birit, avokatit Loren Liço, dyshohet të jetë djegur qëllimisht.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, shihet një mashkull me kostum sportiv të bardhë me kapuç, i cili i afrohet mjetit të tipit “golf 6” në pronësi të Liços dhe pasi e spërkat me lëndë djegëse, i vë zjarrin dhe largohet me vrap.
Në vendngjarje është gjetur sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shishe plastike gjysmë e djegur, të përdorur nga autori për të spërkatur makinat.