Emri i një tjetër funksionari të Partisë Socialiste figuron të jetë në dokumentet e arrestimit për trafik droge të kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetrit, dënimit të tij me 18 muaj burg dhe dëbimit nga Firenze.
Bëhet fjalë për Altin Dodën, i cili nuk është i panjohur në radhët e politikës, por njihet gjerësisht si koordinator i PS-së në njësinë numër 3 në Tiranë.
“Kjo është kartela elektronike e të dhënave kriminale e nxjerrë nga sistemi i kuesturës së Firences. Sipas kësaj rezulton se Valdrin Pjetri është arrestuar 23 janar 2003 së bashku me një tjetër shtetas Altin Doda.”, - u shpreh në deklaratën për mediat Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, duke iu referuar materialit ku pasqyrohet edhe arrestimi i Dodës më 27 janar 2003, krahas kandidatit socialist të dalë nga zgjedhjet monopartiake të 30 qershorit.
Për më tepër, mësohet se Doda është djali i ish-ministrit të Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda.
Sipas burimeve jozyrtare Doda ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Valdrin Pjetrit në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

