Arrestohet në qytetin e Vlorës një 42-vjeçar, i cili rezultonte i shpallur në kërkim që nga viti 2017, pasi dyshohej si i përfshirë në ngjarje me eksploziv.
Shërbimet e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit, bazuar në informacione në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”, në rrugën “Janaq Kilica”, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit me inicialet A. S., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky person, i cili kohët e fundit fshihej në Vlorë, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se kanë vendosur eksploziv poshtë një automjeti, si dhe në derën e një diskoje në Elbasan.
Gjykata e Apelit Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.