Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur seancën për gjykimin e kreut të Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdhën. Sikurse është kryer edhe me gjyqtarët e tjerë, hetimi lidhur me Vjerdhën është bazuar në kriteret e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale.
Nga informacionet e deritanishme, mësohet se relatori i gjykimit, Lulëzim Hamitaj, ka vënë në dukje se ndonëse gjyqtari Vjerdha e ka nisur karrierën juridike në vitin 1994, deklarimet e pasurisë së tij datojnë në vitin 2003.
Në raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive dhe Konfiliktit të Interesit (ILDKPKI), konstatohet se të dhënat e deklaruara të pasurisë janë kryer në përputhje me ligjin, si edhe përjashtohet përfshirja në çështje me implikime të konfliktit të interesit. Një arsyetim i njëjtë është paraqitur në këtë raport edhe përsa i përket burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë.
Ndërkaq, në sajë të hetimit të realizuar nga KPK-ja, rezulton se gjyqtari Vjerdha zotëron 2 apartamente me sipërfaqe 175 m2 të deklaruar me shumën e 87 mijë eurove, një garazh me vlerë 10 mijë euro dhe një njësi tregtare 40 m2 në Shkodër. Po ashtu, Vjerdha ka në pronësi edhe një automjet të blerë me shumën e 290 mijë lekëve të reja.