Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e protestave të organizuara nga opozita në të gjithë vendin, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, pritet të zhvillojë një takim me aleatët e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ambasadori Soreca do të takojë në selinë blu kreun e partisë “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” (LZHK), Dashamir Shehin, kryetarin e “Partisë Republikane”(PR), Fatmir Mediun, drejtuesin e “Partisë Agrare Ambientaliste”(PAA), Agron Dukën, kreun e “Partisë Demokristiane”, Nard Ndokën, si edhe kreun e "Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut”(PBDNJ), Vangjel Dulen.
Ky takimi i Soreca-s me aleatët opozitarë vjen 48 orë pas marrëveshjes që partitë opozitare nënshkruan mes tyre, duke vendosur bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sikurse kanë artikuluar edhe më parë në protestat gati periodike, eksponentët e opozitës së bashkuar kërkojnë largimin nga detyra të Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila duhet të shërbejë si garanci për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Soreca dhe përfaqësues të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje të vazhdueshme që palët të ulen në tryezën e bisedimeve për të negociuar një zgjidhje për krizën politike të vendit.