Pezullimi i rektorit të Universitetit të Tiranës nga ministrja e Arsimit dhe kërkesa tek Presidenti për shkarkimin e tij është vetëm kulmi i një përplasje që ka nisur prej kohësh mes tij dhe qeverisë. Prej javësh kryeministri Edi Rama e fajësonte Mynyr Konin si penguesin kryesor të zbatimit të “Paktit për Universitetin” dhe kujtonte kuadrin ligjor, se si mund të ndërhynte Qeveria.
Rama e linconte rektorin e UT-së edhe për cështjen e verifikimit të titujve akademikë, të një lloj vettingu që u kërkua nga studentët gjatë protestave. Sipas kryeministrit ai nuk donte që ky proces të niste. Duke ndjekur hap pas hapi deklaratat e Ramës, ishte i pritshëm vendimi i Ministrisë së Arsimit ndaj rektorit të universitetit më të madh në vend.
Vec pezullimit, ministrja Besa Shahini nuk humbi kohë fare, por gjeti pasuesin e tij në krye të universitetit. Mynyr Koni u zëvendësua nga zv.rektori Bernard Dosti, i cili nuk është një emër i panjohur për publikun. Ai ra në ‘grackën’ e Taulant Mukës, i cili e denoncoi për punim doktoral plagjaturë. Fill pas këtij denoncimi, Mynyr Koni iu drejtua me një letër Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, aty ku kishte mbrojtur punën e tij, Bernard Dosti.
Në letër i kërkonte nisjen e procedurave verifikuese në drejtim të zëvendësit të tij për çështjen e plagjiaturës. Kjo ishte molla e sherrit që doli në sipërfaqe mes Dekanit, Dhori Kule dhe Rektorit të UT, Mynyr Koni. Rektori Koni e bazonte kërkesën e tij mbi artikujt e publikuar në media pas denoncimit të Taulant Mukës. Kule e refuzoi kërkesën e Konit dhe e akuzonte atë për gjueti shtrigash duke u bazuar në shpifje.
Vetë Muka u është rikthyer akuzave për plagjiaturë ndaj Bernard Dostit dhe emërimin e tij në krye të Universitetit të Tiranës e interpreton si standardin që kërkon kjo Qeveri.
Opozita nga ana tjetër është kundër vendimit të Ministres së Arsimit. Luçiano Boçi e akuzoi Besa Shahinin për shkelje të rënda ligjore. Sipas PD-së ky është një akt i kapjes së universitetit më të madh në vend nga qeveria.
Kundër Mynyr Konit nuk është vetëm qeveria, por edhe disa rektorë të Universitetit të Tiranës. Mes tyre spikat Dhori Kule, dekani i Fakultetit të Ekonomisë. Ai e akuzon Konin për keqmenaxhim, tejkalim kompetencash dhe bllokim të aktiviteteve universitare.
Së bashku me disa dekanë të tjerë, përfshirë këtu edhe atë të Juridikut, Artan Hoxha, Kule është shfaqur jo rrallë në takimet e zhvilluara nga Kryeministri Edi Rama me studentët, pas protestës së dhjetorit të vitit të kaluar. Dekani i Fakultetit Juridik e ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Arsimit për pezullimin e rektorit Mynyr Koni. Sipas tyre ky është hapi i duhur për zhbllokimin e situatës së krijuar në Universitetin e Tiranës.
©LAPSI.al