Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shqyrtuar sot listën me kandidatët që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme të Antikorrupsionit, të njohur ndryshe përmes akronimit SPAK. Në mbledhjen e sotme, KLP-ja rrëzoi kandidaturën e Gëzim Cenajt, Fatmir Hoxhës dhe të Irena Ninos, për arsye se këta garues nuk rezultonin të ishin pjesë e sistemit të Prokurorisë.
Bazuar në Raportin e Komisionit të Posaçëm, anëtarët e KLP-së votuan unanimisht një listë prej 25 kandidatësh që plotësonin kushtet paraprake ligjore. Përzgjedhja e kandidaturave për SPAK-un do të bëhet sipas kriterit të pikëzimit. Kandidatët e kualifikuar do t’i nënshtrohen procesit të filtrimit profesional brenda një afati 6-javor dhe më pas do të thirren nga KLP-ja për t’u marrë në intervistë.
Parimisht, Prokurori që kandidon për t’u bërë pjesë e strukturave të SPAK-ut duhet të ketë kaluar më parë të dy proceset e vetting-ut. Pasi të jetë themeluar institucioni i SPAK-ut, do të vijohet me zgjidhjen e drejtuesit në radhët e prokurorëve më të kualifikuar.
Kreu KLP-së, Gent Ibrahimi, nuk ka përjashtuar mundësinë që SPAK-u të nisë funksionimin duke filluar me më pak se 10 anëtarë.