Konferenca për “Klimën në Ballkanin Perëndimor” që pritej të zhvillohej sot rreth orës 10:00 në Tiranë, u pezullua për shkak të një incidenti mes delegacionit serb dhe atij kosovar. Shkak i përplasjes është bërë mospranimi i përfaqësuesve të Serbisë për të ndenjur pranë kolegëve të tyre kosovarë, si pjesëmarrës të barabartë në punimet e konferencës. Nga ana tjetër, pala kosovare ka refuzuar të shoqërohej nga të dërguarit e misionit të UMNIK-ut, duke e konsideruar këtë parakusht si të papranueshëm për një shtet të pavarur.
Në një dalje publike, Ministri i Mjedisit të Kosovës, Fatmir Matoshi, u shpreh se rregullat strikte të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për përfaqësimin e Kosovës nën logon e UMNIK-ut, janë të padrejta. “Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të Kombeve të Bashkuara që Kosova të jetë e përfaqësuar nën siglën e UMNIK-ut ose të personave të Kosovës të shoqëruar nga zyrtarë të UMNIK-ut, gjë që për zyrtarët e Kosovës është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më.”- sqaroi Matoshi.
Ndërsa, homologu i tij shqiptar, Blendi Klosi, u shpreh se incidenti kishte një natyrë protokollare dhe se konferenca do të zhvillohet në një moment të dytë. “Kishim një dakortësi me OKB-në dhe Serbinë, për zhvillimin e aktivitetit. Ajo që nuk u pranua nga organizatorët ishte prezenca me të drejta të plota të Kosovës...E rëndësishmja është që konferenca të zhvillohet. Tashmë Kosova do të jetë e pranishme me statusin e të ftuarit special.”- njoftoi për mediat Klosi.