Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh sot se protesta ishte për të rinjtë dhe e studentët, të cilët u mashtruan dhe ende nuk iu është plotësuar asnjë prej tetë kërkesave të tyre. “Sot është protesta e të rinjve, është protesta e studentëve. Mbasi dëgjuan pardje fjalimin e Paktit të Mashtrimit, Rama akoma nuk ka parë gjë akoma. Është e vërtet që jo vetëm nuk është plotësuar asnjë kërkesë e studentëve, por përkundrazi i kanë futur në një qerthull që e shton akoma dhe më shumë mungesën e funksionimit të universiteteve.”, tha Kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi shtoi se protestat nuk do të ndalojnë, deri në largimin e Edi Ramës. Ajo theksoi se largimi i Ramës e bën Shqipërinë, e cila deri tani konsiderohet si parajsë e drogës dhe e parave të pista, një vend normal dhe europian.
“Jemi akoma në periudhën e sensibilizimit, shqiptarët janë sensibilzuar më shumë se kushdo tjetër. Por po sensibilizojmë socialistët në parlamentin e Edi Ramës, po sensibilizojmë edhe atë pjesë të Rilindjes, e cila e kupton vetë që çdo gjë ka marrë fund, por është vetëm një zvarritje, e cila shton edhe më shumë dëmin në rradhët e Partisë Socialiste, se sa opozitës së vërtet shqiptare. Protestat nuk do të ndalojnë, 13 prill, 23 prill deri sa në Shqipëri të vendoset njëherë e mirë një sistem i vlerave dhe jo një sistem i antivlerave që ka ngritur Edi Rama.
Të vendoset ai sistem që çdo njeri që vjen në Shqipëri të mos ta mendojë Shqipërinë si parajsën e drogës dhe të parave të pista, por ta mendojë Shqipërinë si një vend europian që vjen dhe është i barabartë si në Francë, si në Itali, si në Gjermani", u shpreh Kryemadhi.