Rezulton 'Fake News' lajmi se në Shqipëri po transportoheshin 23 milionë euro me dy valixhe diplomatike. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Brendshme franceze. Lajmi fillimisht u publikua nga aktivisti Samba Gassama General nga Mali më 28 mars përmes një statusi në Facebook, ndërkohë që më pas u publikua nga “The World news”, një faqe e dyshimtë. Sipas saj, shuma u kap në aeroportin 'Charles-de-Gaulle' në Paris. Në shkrim thuhej se bëhej fjalë për valixhe diplomatike, të cilat si destinacion kishin Shqipërinë.
“Nga të njëjtat burime, valixhet ishin për Shqipërinë, një vend i njohur si një parajsë tatimore, ku fondet e pastrimit të parave janë me parashutë. Cili personalitet ishte bartësi i bagazheve? Burime nga Mali nuk mund ta japin këtë përgjigje. Megjithatë sponsorët e transaksionit mashtrues, janë mbështetur mbi paprekshmërinë e çantave diplomatike, një status ky që shërben si mënyre keqpërdorimi nga zyrtarët” – kështu shkruhet median e Malit në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë Report Tv mëson se Ministria e Brendshme e Francës duke iu përgjigjur interesit nga pala shqiptare mohoi se në aeroportin 'Charles-de-Gaulle' në Paris të jetë bllokuar një shumë e tillë dhe aq më tepër që të kishte lidhje me Shqipërinë. Ajo theksoi se kemi të bëjmë me një 'Fake News'. “Unë ju pohoj që policia në kufirin e aeroportit të 'Charles-de-Gaulle' nuk ka proceduar në zbulimin e një shumë të 23 milionë eurove në këto ditët e fundit. Bëhet fjalë për një fake news" deklaron ministria e Brendshme franceze./ Shqiptarja.com
